Transmetuar më 25-05-2018, 09:08

Policia e Durrësit jep detaje lidhur me personat e arrestuar si të dyshuar për vjedhjen në zyrat e Prokurorisë së këtij qyteti.

Të arrestuarit janë tre, dy autorët e dyshuar për vjedhjen dhe roja i policisë private.

Si autorët e ngjarjes janë arrestuar Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës dhe Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrës, që të dy me precedentë penalë të mëparshëm.

Isa dhe Bushi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës. Ata dyshohet kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik.

Krahas tyre është ndaluar edhe Nias Lena 56 vjeç, banues në Durrës, roje private, i caktuar me shërbim në orarin kur janë vjedhur zyrat e Prokurorisë.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të Nias Lenës dhe “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit” në bashkëpunim në ngarkim të Isës dhe Bushit.

Në orën 06:30 të mëngjesit të kësaj të enjteje, nga ana e punonjësve të Prokurorisë së Durrësit është konstatuar se në ambientet e Prokurorisë, persona të paidentifikuar, me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit.

Ata kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, etj.

“Po kështu është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës kur godina e Prokurorisë ruhej nga punonjësit e policisë private”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Durrësit.

Kujtojmë se ishte pastruesja, ajo që kur hapi derën e Prokurorisë, konstatoi vjedhjen duke lajmëruar policinë.

Nga konstatimet paraprake, rezulton se janë marrë disa dokumente hetimore.

Dëmi më i madh është bërë në zyrën e prokurorit Afrim Shehut, ku janë marrë disa materiale dhe dokumente.

Shehu është prokuror i Task Forcës së organit të akuzës së qytetit bregdetar.

Aktualisht po bëhet bilanci për të zbuluar dokumentet që mungojnë. Mësohet se prokurori Shehu është i përfshirë në hetimet e zyrtarëve që janë të përfshirë në abuzim me detyrën dhe korrupsion. /a.y/noa.al

Ishte e paralajmëruar vjedhja në Prokurorinë e Durrësit? Ja ç’ndodhi 1 javë më parë

Vjedhja në Prokurorinë e Durrësit, shoqërohen dy rojet e policisë private

Vjedhja gjatë natës, Prokuroria e Durrësit zbulon çfarë u mor

Vjedhja gjatë natës, si hynë hajdutët në Prokurorinë e Durrësit

Vjedhja e Prokurorisë së Durrësit, zbulohet zyra e cilit prokuror ishte në shënjestër

Vjedhje gjatë natës në Prokurorinë e Durrësit, merren materialet e prokurorëve