Transmetuar më 25-05-2018, 09:44

Tre persona janë kapur në Tiranë, si pjesë e një grupi që shpërndante lëndë narkotike, në afërsi të shkollave të mesme të kryeqytetit.

Të arrestuarit janë Enri Manaj, 35 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Marjus Filipi, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Gloria Hasaj, 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga policia, rezultoi se tre të ndaluarit në bashkëpunim me njëri- tjetrin kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike në shkollat e mesme të kryeqytetit.

Enri Manaj dhe Gloria Hasaj janë konstatuar nga shërbimet e policisë para hyrjes të një shkolle të mesme në rrugën e “Dibrës” këtë të enjte, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetases Gloria Hasaj, i janë gjetur 5 doza heroinë, e ndarë në porcione gati për tu shitur.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Manaj, në të cilën ndodhej Marjus Filipi dhe shtetasja e huaj filipinase C. M., u gjetën dhe u sekuestruan 39 doza lënde narkotike heroinë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale 44 doza lënde narkotike heroinë dhe tre aparate celularë.

Gjithashtu në bashkëpunim me Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, po kryhen veprimet përkatëse për dëbimin e shtetases filipinase, pasi u konstatua se po qëndronte pa leje qëndrimi në territorin e Shqipërisë.

Lidhur me këtë rast, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Në foto, lënda narkotike e sekuestruar