Transmetuar më 25-05-2018, 10:54

Rreth 1000 tifozë të Liverpoolit, të cilët planifikonin të udhëtonin në Ukrainë për ndeshjen e së shtunës kur luhet finalja Ligës së Kampioneve, janë lënë në Angli pasi tre fluturime në vendin e tyre janë bllokuar.

Kompania e biletave të klubit të kuq  “Worldchoice Sports” tha se 1000 vetë mbeten të bllokuar, për shkak se ka pasur shumë fluturime në 24 orët e fundit nga Anglia në drejtim të Ukrainës.

Kompania në një deklaratë për mediat është shprehur: “Ne kemi bërë gjithçka. Biletat tona madje janë vënë në dispozicion në dy aeroporte, në atë të Liverpool dhe të Mançesterit”.

Sipas kompanisë, probleme janë shfaqur edhe në Kiev.

Pritet që më shumë se 20 mijë tifozë të Liverpool të jenë të pranishëm në Ukrainë në ndeshjen e ekipit të tyre të zemrës ndaj Realit të Madridit.

Në lidhje me problemin e biletave, ka reaguar edhe kryebashkiaku i qytetit Joe Anderson, i cili tha se kanë kërkuar llogari tek kompanitë sportive dhe në aeroporte.

Nga kompania thanë gjithashtu se po punohet që deri të shtunën, 1000 sportdashësit të jenë në stadiumin e Kievit. /d.xh / noa.al