Transmetuar më 25-05-2018, 11:29

Presidenti, Ilir Meta shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të akademikut, albanologut e gjuhëtarit të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Kolec Topalli.

Meta u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe familjarëve të Akademikut Topalli, dhe në këto çaste hidhërimi, gjendet shpirtërisht pranë tyre duke u lutur së bashku me ta që i ndjeri të gjejë prehjen e amëshuar.

Shqipëria humbi një akademik e albanolog të shquar, por Prof. Dr. Kolec Topalli la pas një vepër të tërë mbi gjuhën shqipe dhe historikun e saj, e cila do të jetë gjithmonë në duart e studentëve dhe studiuesve të ndryshëm, duke e bërë të paharruar kujtimin dhe veprën e tij!

Kolec Topalli vdiq dje në moshën 80 vjeçare. Ai ishte një ndër intelektualët e shquar të vendit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akademiku Topalli njihet për veprën e tij më të rëndësishme “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”.

U lind më 4 dhjetor 1938 në qytetin e Shkodrës dhe ka botuar një sërë veprash si monografi, vepra kolektive, përmbledhje studimesh etj./m.sh/noa.al/