Transmetuar më 25-05-2018, 11:54

Policia e Bangladeshit ka qëlluar për vdekje më shumë se 50 trafikantë droge brenda një jave, duke përgjakur rrugët e vendit.

Forcat policore janë duke kryer vrasjet në kuadër të luftës ndaj narkotikëve.

Aktivistët civilë kanë thënë se kanë frikë se mos një luftë e tillë përshkallëzohet në vrasje masive pa gjyqe, sikundër ka ndodhur në Filipine.

Nga qeveria e vendit kanë thënë se Bangladeshi rrezikohet seriozisht nga trafikantët e narkotikëve dhe për këtë arsye “lufta ndaj tyre është një detyrë kombëtare”.

Autoritetet janë shprehur se i kanë shpallur luftë trafikantëve dhe bandave kriminale e se “do t’i vrasin ata kudo që t’i gjejnë”.

Kryeministrja e Bangladeshit Shejh Hasina tha se shteti që drejton është duke u kërcënuar edhe nga militantët islamikë. Kjo pasi në shtetin e Bangladeshit ka pasur përhapje edhe ekstremizmi islamik.

Më herët ka pasur një fushatë policore ndaj radikalëve islamikë, duke lënë të vdekur disa prej tyre.

Nëntë persona, të akuzuar si shpërndarës dhe trafikantë të drogave raportohet se janë vrarë të enjten në mëngjes. Ndërsa, në dhjetë ditë u ekzekutuan 52 persona.

“Kemi 14 raste në pritje për t’u vrarë për raste të drogave, të dhunës apo aktiviteteve kriminale”, ka thënë drejtuesi policor Ashraful Alam për “Guardian”.

Një operacion i përgjakshëm u zhvillua në qytetin e  Netrokona të Bangladeshit, ku policia dhe bandat kanë shkëmbyer zjarr me njëri – tjetrin dhe për pasojë mbeti i vrarë një nga kapot më të rëndësishëm të drogës në vend, Amzad Hossain.

Nga opozita kanë thënë se janë vrarë edhe persona që dyshohet se nuk kanë asnjë lidhje me tregtinë e drogës, por ekzekutohen vetëm pse janë kundërshtarë politikë të qeveritarëve.

Qendrat humanitare janë shprehur se të gjitha vrasjet duhet të hetohen, pasi ka dyshime se ata janë kryer në forma të tmerrshme.

Bangladeshi me sa duket po kopjon modelin e Filipineve. Në shtetin filipinez, pak kohë më parë nisi një fushatë terrori kundër trafikantëve të drogës, duke i vrarë ata me armë nëpër rrugë. /d.xh/noa.al