Transmetuar më 25-05-2018, 12:13

Presidenti Ilir Meta thotë se Shqipëria është pranë çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

Ndaj ai fton të gjithë spektrin politik që të punojnë të gjithë së bashku, për të marrë një përgjigje pozitive.

“Ne ende nuk kemi arritur objektivin madhor të demokracisë përfaqësuese, atë të zhvillimit të zgjedhjeve në përputhje të plotë dhe të pakthyeshme të standardeve perëndimore. Mbetemi të angazhuar për të arritur këtë prioritet madhor, që përbën dhe një nga kriteret kyçe të Kopenhagës, që na shoqëron në procesin e integrimit evropian”, u shpreh Meta ditën e sotme.

Ai tha se është shpresëplotë, se falë vullnetit të përbashkët, rekomandimeve e ndihmës së OSBE/ODIHR, dhe miqve ndërkombëtarë do të arrihet të kapërcehet kjo sfidë.

Deklarata e kreut të shtetit u dha gjatë ceremonisë së dekorimit me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, të politikanit italian Riccardo Migliori.

Dekorata ndaj tij u dha me motivacionin, “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në mbrojtjen, përhapjen e vlerave dhe standardeve demokratike në Shqipëri, si dhe për mbështetjen e pakursyer në proceset e saj integruese dhe euroatlantike”. /a.y/noa.al