Transmetuar më 25-05-2018, 12:26

Për pak ditë mbushet një vit nga kriza Gjirit, shkëndija e parë e së cilës ndodhi mëngjesin e datës 24 Maj të vitit të kaluar, me hackerimin e Agjencisë së Lajmeve të Katarit “QNA”, duke i atribuar dhe shpërndarë fjalime të rreme Emirit të vendit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani. Ky krim kibernetik provokoi menjëherë një krizë rajonale, efektet e së cilës vazhdojnë ende.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, plani i shteteve që provokuan krizën ishte të shkaktonin një tronditje të fortë e të beftë që mund të çonte në tundjen e qeverisjes në Doha, por lidershipi i Katarit veproi me gjakftohtësi dhe ia doli të absorbojë goditjen e parë dhe të përballet me piraterimin mediatik dhe sulmin politik me një profesionalizëm të lartë.

Vendet e bllokadës dështuan të realizojnë objektivat e menjëhershme, ndërsa Katari nga ana tjetër arriti të pengojë planin dhe strategjinë e tyre, e cila si qëllim kryesor kishte tundjen dhe rrëzimin e themeleve të qeverisë në Doha.

Vendet e bllokadës mendonin se tronditja e beftë do të sillte panik në Doha, çka do ta detyronte këtë të fundit ti përulej Arabisë Saudite. Mirëpo këto llogari rezultuan jo vetëm të gabuara por edhe infantile sa i përket vlerësimit të aftësisë së Katarit për të përballuar dhe frenuar sulmin, dhe trajtimin me sukses të impakteve të tij politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Kur hapi i parë dështoi, fushata kundër Katarit denigroi në një nivel të ulët politik dhe mediatik. Por forma dhe përmbajtja e akuzave dhe trillimeve ndaj Katarit çuan në rezultate krejt të kundërta nga ato që prisnin vendet e bllokadës dhe krijuan një opinion publik kundër vetë këtyre vendeve dhe mediave të tyre që humbën reputacionin dhe kredibilitetin e tyre për shkak të përpjekjeve të dukshme për manipulim dhe mosrepektimin e profesionalizmit dhe objektivitetit gazetaresk në qasjen ndaj krizës.

Në ditët e para të sulmit, gati të gjithë sektorët në Katar u prekën nga situata e papritur dhe lufta politike, diplomatike dhe tregtare e pasuar me mbylljen e kufijve, duke dëmtuar të gjitha sferat e jetës, që nga ushqimet bazë dhe lëndët e para gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, e deri tek dëbimet me forcë të qytetarëve katarianë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

Mësimi i bllokadës ishte i ashpër, sepse nuk imagjinohej që fqinjët mund të silleshin në atë mënyrë armiqësore, aq më tepër gjatë muajit të Ramazanit. Por Katari lëvizi me shpejtësi, kompensoi mungesën e lëndëve të para dhe ndërmori masa vendimtarë për të garantuar sigurinë ushqimore.

Edhe nga ana diplomatike dhe përpjekjes për ta izoluar Katarin, sërish vendet e bllokadës ishin të pafat, pasi marrëdhëniet diplomatike të Dohas janë vendosur mbi baza të qarta dhe solide që nuk mund të ndikoheshin nga propaganda e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite. Rrjedhjet e fundit në SHBA zbuluan se Abu Dhabi dhe Rijadi kanë shpenzuar, më kot, shuma financiare të mëdha që të nxisnin Uashingtonin kundër Katarit.

Ndërsa ekonomikisht, Shteti i Katarit u rendit i pesti në ecurinë ekonomike për vitin 2018, sipas Raportit të Konkurueshmërisë Globale të lëshuar nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit (IMD).

Në po të njëjtin raport, Katari u rendit i dhjeti për efikasitetin e qeverisë, i trembëdhjeti në efikasitetin e sektorit të biznesit, dhe ruajti vendin e 38-të për infrastrukturën. Dhe të gjitha këto vlerësime vetëm një vit pas bllokadës së imponuar ndaj tij Qershorin e 2017-s nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti.

Raporti i IMD-së e rendit Katarin të 14-tin nga gjithsej 63 vende, shumica e të cilave janë vende të zhvilluara, çka reflekton performancën e fortë ekonomike të Katarit në nivele të ndryshme.