Transmetuar më 25-05-2018, 15:57

Nëse keni planifikuar të udhëtoni drejt Anconas në Itali nga Aeroporti i Rinasit, apo anasjelltas, duhet të bëni kujdes pasi në Aeroportin e Anconas nesër zhvillohet grevë 8-orëshe.

“Autoriteti i Aviacionit Civil, njofton të gjithë pasagjerët që kanë parashikuar të udhëtojnë ditën e shtunë dt 26 Maj 2018, nga dhe drejt Aeroportit të Anconës në Itali, se ditën e shtunë në Aeroportin e Anconës, do të ketë grevë nga ora 10.00 deri në 18.00”, thuhet në njoftimin e AAC.

Nga verifikimet e bëra nga Autoriteti i Aviacionit, rezulton se brenda kësaj fashe orari është i parashikuar një fluturim Ancona-Rinas.

“Ditën e shtunë është parashikuar një fluturim nga Aeroporti i Ankonës me drejtim TIA, dhe anasjelltas, për këtë arsye AAC apelon ndaj pasagjerëve që të ndjekin me vëmendje njoftimet e kompanisë ajrore që kanë rezervuar biletën dhe adresën zyrtare të aeroportit, për të shmangur pritjet e gjata”, vijon njoftimi i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Më tej, ftohen qytetarët që të kontaktojnë me AAC për çdo paqartësi dhe të rejat e fundit nga greva./a.m./noa.al/