Transmetuar më 25-05-2018, 16:31

A është autentik audio-përgjimi i publikuar nga Partia Demokratike, në të cilin ajo pretendon se vëllai i Ministrit të Brendshëm dëgjohet duke bërë pazare droge?

Kësaj pyetjeje pritet t’i japin përgjigje autoritetet italiane pasi në atë vend do të kryhet ekspertimi.

NOA mësoi se përmes një letër-porosie, materiale është dërguar në Itali dhe pritet të bëhet ekspertiza.

Në laboratorin shkencor që do të caktohet nga autoritetet italiane do të verifikohet nëse zëri që dëgjohet në material është i Agron Xhafajt apo jo.

Për këtë pritet të bëhet krahasimi mes zërit të Xhafajt dhe atij që dëgjohet në materialin e publikuar.

Vetë ky i fundit ka deklaruar në kallëzimin e bërë në prokurori ndaj zyrtarëve të PD se nuk është ai personi që dëgjohet.

Ndërkohë, drejt Italisë ka udhëtuar edhe një prej prokurorëve të çështjes, Përparim Kulluri. Nuk dihet nëse ky i fundit ka marrë në pyetje Xhafajn apo jo.

Dëshminë paraprake ai e ka dhënë në Prokurorinë e Tiranës.

Nëse do të jetë e nevojshme të merret sërish në pyetje, rrugët janë dy: përmes letër-porosisë, ose një prokuror do ta marrë në pyetje në Itali./a.m./noa.al/