Transmetuar më 25-05-2018, 16:46

“Policia e Shtetit nuk do të tolerojë sjellje që cënojnë sigurinë dhe rendin publik gjatë protestës së opozitës”. Ky është paralajmërimi i bërë nga uniformat blu përmes një deklarate të shpërndarë për mediat një ditë para tubimit.

Policia deklaron se do të respketojë të drejtat e qytetarëve, por tubuesit nuk duhet të shkelin ligjin. 

“Policia e Shtetit, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për të manifestuar dhe si gjithmonë mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit dhe u bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Uniformat blu sqarojnë se është hartuar plani i masave për mbarëvajtjen e protestës.

Në këtë plan masash parashikohet që të bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa rrugë lidhëse.

Po ashtu, mjetet e tonazhit të rëndë si dhe mjetet e transportit publik nuk do të lejohen të hyjnë në kryeqytet përtej pikave të përcaktuara në periferi. 

Më poshtë plani i detajuar i masave me rrugët që bllokohen sipas orareve: 

Policia e Shtetit për tubimin e subjektit politik Partia Demokratike, parashikuar të zhvillohet në datë 26 Maj 2018, ora 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të bllokojë qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të brendshme të Tiranës. 

Duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët: 

– Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi i rrugës “Bajram Curri” deri tek kryqezimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe anasjelltas; 

– Rruga “Ismail Qemali” nga degëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II” deri tek Bulevardi “Deshmorët e Kombit” do të jetë e bllokuar; 

– Rruga “ Papa Gjon Pali II” nga degëzimi me Bulevardin  “Bajram Curri", deri tek degëzimi i rrugës “Themistokli Germenji” dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës; 

Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës  “Abdi Toptani”. 

Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e “Tiranës së Re” do të kthehet tek sheshi “Ëillson”, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe “Florës”, linja e Saukut do të kthehet tek rruga “28 Nëntori” pranë Sahatit. 

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e operatorëve të transportit publik qytetas, që ditën e shtunë deri në përfundim të protestës, të mos përdoren mjetet e transportit artikular, për shkak të devijimeve dhe bllokimeve që do të bëhen për arsye sigurie. 

Të shtunën, nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës brenda Unazës së Madhe dhe rrugëve të tjera të brendshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive. 

Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë: 

– Pallati i sportit "Asllan Rusi", në rrugën “Dritan Hoxha”;

– Pallati me shigjeta në rrugën “Konferenca e Pezës”;

– Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e “Elbasanit”;

– Ura e Brrylit në “Bulevardin Zhan D’Ark”. 

Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen: 

– Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i “Fakultetit Ekonomik” do të vendosen në rrugën “Shahin Toci” pranë Terminalit të Jug-Lindjes;

– Mjetet që vijnë nga sheshi "Shqiponja" do të vendosen në rrugën “Teodor Keko";

– Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën “Teodor Keko”;

– Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri. 

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin për largimin e mjeteve të parkuara në rrugët e sipërpërmendura, në të kundërt do të spostohen me mjete ngritëse. 

Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjeteve ditën e nesërme, sidomos në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, për shkak të devijimeve dhe kufizimeve, deri në përfundim të tubimit. 

Plani i masave për sigurinë e tubimit u hartua me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, që asistojnë Policinë e Shtetit. 

Gjithashtu, veprimtaria e Policisë së Shtetit, në ditën e tubimit, do të asistohet dhe monitorohet edhe nga ekspertë të huaj, të atashuar pranë Ministrisë së Brendshme. 

Policia e Shtetit, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për të manifestuar dhe si gjithmonë mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit dhe u bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. 

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore. Në të njëjtën kohë, nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cënojnë rendin dhe sigurinë publike./a.m./noa.al/