Transmetuar më 25-05-2018, 19:03

Një ditë para protestës së opozitës, ministri i Brendshëm ka deklaruar se nëse audio-përgjimi i publikuar nga Partia Demokratike do të rezultojë i vërtetë, ai do të japë dorëheqjen.

Me këtë mesazh Fatmir Xhafaj u është drejtuar sot të gjithë qytetarëve që janë thirrur në protestën e së shtunës.

“Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot: Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim”, shkruan ministri në Twitter

Por, nëse ekspertiza do të nxjerrë se audio-përgjimi nuk është i vërtetë, Xhafaj thotë se Lulzim Basha duhet të përballet me ligjin, duke e ftuar në sfidë direkte.

“Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?”, vijon reagimi i tij.

Në fakt, kjo çështje e ka ndezur në maksimum debatin politik në vend, me Partinë Demokratike që insiston se vëllai i ministrit është i përfshirë në trafik droge.

Ekspertiza e audio-pëgjimit do të kryhet ne Itali, ku marrin pjesë edhe prokurorë të Krimeve të Rënda të Shqipërisë. /k.k/noa.al/