Transmetuar më 04-06-2018, 14:01

Qeveria e Kosovës reagon lidhur me taksën e kalimit në Rrugën e Kombit, ku për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë do të jetë më e reduktuar.

Ndonëse qeveria shqiptare nuk e ka bërë ende publike shumën zyrtare që do të paguajnë përdoruesit e shpeshtë të zonës, ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj del me reagim.

Në një prononcim për mediat e Kosovës, deklaroi se për këtë çështje Shqipëria nuk ka kërkuar mendim.

“Nuk mund të themi që për këtë çështje jemi takuar apo që kemi biseduar eksplicite, por në Samitin e Sofjes ku ishte prezent edhe ministri Gjiknuri e kemi biseduar njëherë në pak sekonda dhe i kam shfaqur mospajtimin tonë për çmimin fillestar që është vendosur nga shteti shqiptar për Rrugën e Kombit”, tha Lekaj.

Sipas tij, këto tarifa janë më të lartat në Europë dhe nuk përkojnë me gjendjen e ekonomike as të familjeve e as të biznese të të dy vendeve.

“Për këto çështje jemi shprehur prej fillimi se do të duhej të konsultoheshim me njeri tjetrin, sepse jemi përveçse fqinjë edhe vende me popullatë të njëjtë dhe rrjedhimisht me ndjenja të njëjta”, ka shtuar Lekaj.

Ai tha se po pritet që të shihet nëse ka ndryshim dhe sa është ai ndryshim për këtë tarifë rrugore. /a.y/noa.al

Vendoset se sa do të paguajnë kuksianët për ‘Rrugën e Kombit’