Transmetuar më 12-06-2018, 18:47

Aktori i njohur i teatrit dhe i kinemasë, Bujar Asqeriu, shpreson se deputetët socialistë nuk do ta votojnë draftin e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Asqeriu i sheh vendimmarrjet arrogante të Kryeministrit si elementë të diktaturës. 

Sipas tij, Presidenti francez Macron s’do guxonte kurrë të rrafshonte Komedinë franceze për asnjë tjetër projekt.

I pyetur per projektligjin me te fundit te qeverise qe i hap rruge prishjes se godines se TK dhe ngritjes së një kompleksi kullash nga një firmë private bashkë me teatrin, Asqeriu thote se lajmi i ka ardhur ne menyre te befte. 

“Sigurisht si të gjithë artistët ky lajm na erdhi në mënyrë të beftë dhe të papritur, ky vendim i njëanshëm dhe apriori që do t’i çohet Parlamentit. Unë jam i bindur se Parlamenti nuk do ta votojë këtë ligj, sepse ndër deputetët edhe të maxhorancës, unë mendoj se ka qytetarë, ka njerëz me shpirt prej artisti të cilët do të mbështesin propozimin e artistëve shqiptarë për mosshembjen e institucionit të kujtesës, kulturës dhe traditës shqiptare”- thotë ai per “Panorama“. 

Sipas tij, ata nuk mund të bëhen pjesë e një krimi kulturor. 

“Prandaj, unë mendoj se ky draft nuk do të miratohet dhe më vjen keq se qeveria shqiptare nuk ka zemërgjerësinë që të dëgjojë zërin e artistëve shqiptarë. Një qeveri që hyn në konflikt me artistët, është një qeveri që i ka ardhur fundi, nuk ka ku të shkojë më. Nuk ka vend të botës që artistët të konfliktohen me qeverinë. Ky konflikt ka ndodhur dhe më parë kur Kryeministri ynë ishte ministër Kulture dhe atëherë kanë fituar artistët. Unë kam mendimin absolut se artistët janë më të respektuar dhe më të dashur nga publiku sesa politikanët që na drejtojnë”- thote ai. 

Qeveria ka përgatitur një projektligj që i hap rrugë prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së një kompleksi kullash nga një firmë private bashkë me teatrin. Si ju erdhi ky lajm? 

Sigurisht si të gjithë artistët ky lajm na erdhi në mënyrë të beftë dhe të papritur, ky vendim i njëanshëm dhe apriori që do t’i çohet Parlamentit. Unë jam i bindur se Parlamenti nuk do ta votojë këtë ligj, sepse ndër deputetët edhe të maxhorancës, unë mendoj se ka qytetarë, ka njerëz me shpirt prej artisti të cilët do të mbështesin propozimin e artistëve shqiptarë për mosshembjen e institucionit të kujtesës, kulturës dhe traditës shqiptare.

Ata nuk mund të bëhen pjesë e një krimi kulturor. Prandaj, unë mendoj se ky draft nuk do të miratohet dhe më vjen keq se qeveria shqiptare nuk ka zemërgjerësinë që të dëgjojë zërin e artistëve shqiptarë. Një qeveri që hyn në konflikt me artistët, është një qeveri që i ka ardhur fundi, nuk ka ku të shkojë më. Nuk ka vend të botës që artistët të konfliktohen me qeverinë. Ky konflikt ka ndodhur dhe më parë kur Kryeministri ynë ishte ministër Kulture dhe atëherë kanë fituar artistët. Unë kam mendimin absolut se artistët janë më të respektuar dhe më të dashur nga publiku sesa politikanët që na drejtojnë. 

Ju keni besim në një zgjidhje që mund të vijë nga vetë deputetët e PS? 

Jam i bindur, sepse Shqipëria sot ka halle dhe probleme shumë të mëdha dhe qeveria nuk po u jep dot zgjidhje. Duke u ndodhur në një krizë të tillë, qeveria merr vendime arbitrare dhe diktatoriale, kështu e dua dhe pikë! Kjo vjen nga kriza dhe nga mbufatja. Këta qeveritarët tanë rrinë e flasin: “Edhe këta artistët kemi mangët, nuk u pushoi goja, boll halle kemi!” Na konsiderojnë si milingona, si bëzhdile. Nuk ka zgjidhje ekonomike, nuk ka zgjidhje turistike Shqipëria pa mbështetur artin dhe kulturën, pa respektuar artin dhe kulturën. Qeveria ngre me forcë edhe turizmin kulturor, nga ana tjetër shkon në prishjen e Teatrit Kombëtar?! Turizëm kulturor, thotë ai dhe jep 200, 300, 500 mijë euro për një këngëtar. 

Ta respektojë këngëtarin, qoftë Ermal Metën e qoftë Rita Orën, që janë krenari për çdo shqiptar. Por nuk i bëri as Erion Veliaj dhe as Edi Rama këta artistë atje ku gjenden sot. Por i bënë vendet ku jetuan, kurse këta janë gati t’i groposin talentet dhe jo t’i lulëzojnë dhe mbështesin. Këta nuk kanë asnjë beneficë, beneficin e vetëm këta e kanë të marrin aksione dhe vlera duke respektuar talentet shqiptare në botë. S’kanë nevojë ata nga politikanët tanë, sepse ata e ndërtuan karrierën e tyre në një vend të huaj, falë talentit, meritës dhe vlerësimit të këtij talenti. 

Kurse këtu janë gati të të hapin gropën te këmbët kur ke talent. Kjo është e vërteta! Në Shqipëri kur flet dhe ngre zërin për çështje që i përkasin artit dhe teatrit, janë gati të të presin dhe kokën, madje të kërcënojnë dhe me bukën, të lënë pa bukë dhe pa punë. Këta janë mjeshtra si dikur në skllavopronari. Por artisti nuk është skllavi i qeverive. Artisti është opozita e çdo qeverie, është në konflikt të përjetshëm me qeveritë, për një të ardhme më të mirë, jo për vete, por për qytetarët. 

A mund të pyeteshin qytetarët përmes një referendumi për fatin e teatrit? 

Edhe kjo është një nga format që duhet aplikuar. Jo vetëm qytetarët e Tiranës, por dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë mund të votonin nëse ka vlera ose jo Teatri Kombëtar, duhet ruajtur apo duhet shembur. Për mua, Teatri Kombëtar nuk është vlerë në pupulit, në kompensatë apo në materialin e ndërtuar. Teatri është një arenë shpirtërore e artistëve të mëdhenj të Shqipërisë që kanë parakaluar në atë skenë.

Teatri është një qenie e shenjtë dhe si e tillë duhet mbajtur dhe rikonstruktuar me të gjitha parametrat bashkëkohorë. Ndërkohë, unë e kam ngritur zërin duke thënë se Tirana ka nevojë për një teatër të ri, të projektuar nga arkitektët tanë shumë të talentuar, të mendohet qoftë brenda hapësirës, pa e prishur këtë hapësirë, ose dhe në ndonjë vend tjetër të mendohet për ngritjen e një teatri të ri që do t’i japë të gjithë dinjitetin jo vetëm artistëve, por dhe spektatorëve. 

Pak ditë më parë ju thatë se besoni te shpirti artist i Kryeministrit Rama. Besoni ende edhe sot? 

Po, shpresova shumë. Sepse dua të them përsëri në thelb mua më pëlqejnë trazimet artistike të një artisti, por në pozicionin e një zyrtari, e një figure të rëndësishme siç është ajo e Kryeministrit, rebelizmi artistik duhet t’ia lerë vendin një gjakftohtësie, një racionaliteti në të menduar dhe në vendimmarrje.

Këtu është ndryshimi. Edi Rama ngatërron rebelizmin e tij artistik, me racionalitetin si pushtetar. Këto krijojnë përplasje dhe problematika. Unë kam shpresuar që në thellësi të shpirtit të tij ka mbetur diçka e thellë, diçka artistike, të cilën ai e ka të trashëguar. 

Ose, në të kundërt, ky shpirt artistik është tharë. Dhe kjo ndodh dhe kur ndodh, kthehet në bumerang të madh sepse kur vihesh në pozicione të tilla të pushtetit, merr vendime arbitrare në dëm të komunitetit. Ky “UNI” të çon në diktatura; “unë i di të gjitha”, “unë vendos si dua unë”, këto janë elementë të diktaturës. Dhe në këtë mënyrë, bie poshtë filozofia e bashkëqeverisjes që propagandon me aq forcë Kryeministri, del thjesht një falsitet, një demagogji dhe hipokrizi që ai bën me njerëzit, me personazhe të ndryshëm, hallexhinj. Po deri kur shqiptarët do të jenë hallexhinj? 

Sepse ti pronën nuk ia ktheve, dinjitetin nuk po ua krijon, shpirtërisht po i varfëron, po i demotivon. Nuk është rastësi humbja e sigurisë së të nesërmes, që shqiptarët po vuajnë sot. Pasiguria po krijon strese, sëmundje. Le të shkojë Kryeministri tek Onkologjiku dhe të pyesë se sa janë shtuar sëmundjet kanceroze, të pyesë tek Neurologjia dhe të informohet sa janë përhapur sëmundjet mendore, sa vetëvrasje ka sot?! Çfarë janë këto shifra, zoti Kryeministër? 

Një pjesë e artistëve mendojnë se teatri duhet shembur, si i vlerësoni këta zëra? 

Nuk janë për shembjen e teatrit, por janë tërhequr nga frika se ose janë në fillimet ose mesin e jetës artistike dhe mendojnë se do t’i bëjë të famshëm rreshtimi në krah të pushtetit. Jo, misioni i artistit është të jetë në opozitë të përhershme me cilindo pushtet, pavarësisht nga krahët politikë. Sigurisht, të thotë mendimin e tij pa iu trembur syri, pushteti në do, le ta respektojë, nëse nuk do, le të mos e respektojë, kjo varet nga pushteti. 

Çfarë do të ndodhë me teatrin, dje u tha se do shkohet deri në grevë urie? 

Qeveria nuk ka tërheqje, sepse e përgatiti draftin që donte. Por unë kam shpresë te deputetët shqiptarë dhe u bëj thirrje që të mos marrin përsipër një kauzë jo të ndershme, sepse atëherë më vete mendja vetiu që nëse zoti Kryeministër apo zonja ministre, meqenëse kanë jetuar në Francë dhe që ta kenë mirë me Presidentin Macron, le t’i propozojnë atij rrafshimin e Komedisë franceze që të ngrenë disa kulla, që Parisi të duket më bukur… Sigurisht ata do nxjerrin gjuhën për krahasimin që unë bëj mes Teatrit tonë Kombëtar dhe Komedisë franceze të Parisit. 

Le ta shikojnë projektin e Teatrit Kombëtar në vitet e para kur është ndërtuar. Unë dua t’i bëj një apel dhe përfaqësive diplomatike të Tiranë, por veçanërisht Institutit Italian të Kulturës, meqenëse arkitekti ishte italian, të dalin në mbrojtje të kauzës së artistëve. Jo vetëm pse ne jemi shumë dhe peticioni është mbushur me qindra emra, por edhe sikur pak të ishim, qeveria duhet të ishte kaq gjakftohtë dhe të thoshte: Mos u shqetësoni, sepse ne do t’u bëjmë një teatër të ri që të mos punoni në atë kasolle. 

Të vendoste një komunikim me artistët, t’i takonte dhe të fliste me ta. Por kjo mospërfillje vjen nga fakti se qeveritarët mendojë se ne kemi në dorë bukën tuaj të gojës, ne ju lemë dhe pa bukë. Unë e di se ata nuk duan të krijojnë dinjitetin e artistëve shqiptarë, prandaj vjen arroganca, e cila vjen nga mungesa e pavarësisë së individit dhe kur mungon edhe kjo, s’mund të ketë demokraci në Shqipëri.