Transmetuar më 21-06-2018, 20:57

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë janë duke rendur që të kapin kohën këtë fundjavë për të mbyllur marrëveshjet mes tyre, pak orë para se të hënën të zhvillohet në Luksemburg, mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE që pritet të shprehet nëse vendit tonë do t’i çelen apo jo negociatat për anëtarësim.

Burime diplomatike në Athinë bëjnë të ditur për NOA.al se një axhendë e posaçme është përgatitur për të shtunën dhe të dielën, për të përmbyllur detaje teknike mbi pikën kryesore të paketës me 10 çështje, ajo për kufijtë detarë.

Pritet po ashtu që në Rodhos, ku po zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të Mesdheut dhe Ballkanit, MPJ shqiptar Ditmir Bushati dhe ai grek, Nikos Koxhias, të përmbyllin marrëveshjen-paketë me 10 pika.

Burimet diplomatike greke thonë se janë shumë afër marrëveshjes me Shqipërinë, për t’i dhënë fund situatës pezull që lidhet me detin. Sipas të njëjtave burime, pala greke do të kontrollojë zonën mes 6 dhe 12 miljesh në detin Jon.

Nëse këtë fundjavë gjithçka shkon mirë mes stafeve teknike të MPJ dhe qeverive të dy vendeve, atëherë pas tre javësh, do të ketë një takim zyrtar mes kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe atij shqiptar Edi Rama.

Në takim, siç raporton noa.al, do të shpallen vendimet për kufirin detar, për ligjin e luftës që mban ende në fuqi pala greke me Shqipërinë, zhvarrimin e grekëve të vrarë në vitin 1940, heqjen e luftës, disa çështje konsullore dhe disa çështje që lidhem me të drejtat e pakicës kombëtare greke në Shqipëri, por edhe ndryshimet e librave shkollore shqiptare të Historisë me fshirjen e të gjitha pjesëve që konsiderohen të papranueshme nga pala greke dhe që për të cilat bie dakord edhe pala shqiptare.

Takimi i pritshëm të zhvillohet në Korçë brenda korrikut, është tentuar të zhvillohet edhe para 28-29 qershorit kur BE vendos për negociatat me Shqipërinë, por një gjë e tillë duket e pamundur.

Burimet diplomatike greke nënvizojnë se në të gjithë procesin e negociatave si dhe në paketën me dhjetë pika, nuk përmendet çështja çame. Megjithatë çështja e kthimit të pasurive të tyre është pjesë e paketës së negociatave.

Në Greqi, “Demokracia e Re” në opozitë, kërkoi zyrtarisht që e gjithë marrëveshja-paketë të dorëzohet në Parlamentin grek për debat mes deputetësh. /a.b/noa.al/