Transmetuar më 26-06-2018, 09:31

Një shqiptar i Kosovës ka dalë para gjykatës së Bonit në Gjermani, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, të cilën e goditi 39 herë me sëpatë.

Por në vendimin e dhënë këtë të hënë, Gjykata vendosi që 37-vjeçari nga Kosova, të shtrohet në spital psikiatrik.

Kjo pasi nga hetimet dhe verifikimet e kryera, ka rezultuar se ai ka vrarë të shoqen më 1 tetor 2017, në gjendje të paqëndrueshme mendore.

Për rrjedhojë ai nuk mund të dënohej për vrasje. Mësohet se bashkëshorti i akuzuar për vrasjen jetonte dhe punonte në një kuzhinë në Siegburg, ndërsa gruaja e tij i ishte bashkuar vetëm pak javë para se të vritej.

Gjatë marrjes në pyetje 37-vjeçari deklaroi se kishte dyshime se e shoqja, e cila ishte mësuese në profesion, pëlqente një person tjetër.

Por nga hetimet e prokurorisë rezultoi se asnjë nga pretendimet e të dyshuarit nuk është e vërtetë dhe se gjithçka ka ndodhur në gjendje të paqëndrueshmërisë mendore nga i dyshuari.

Po ashtu rezultoi se i dyshuari, ishte trajtuar edhe 13 vite më parë për çrregullime mendore, pas traumave të pësuara nga lufta në Kosovë. /a.y/noa.al