Transmetuar më 27-06-2018, 14:00

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Angelo Massafra-n me dekoratën “Nënë Tereza”.

Dekorata e tij u dha “Për kontributin e shquar në drejtim të ripërtëritjes shpirtërore të besimit katolik në vendin tonë, për nxitjen, inkurajimin e promovimin e vazhdueshëm të bashkëjetesës paqësore, harmonisë dhe dialogut ndërfetar dhe në mirënjohje ndaj përkushtimit të paepur për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe rivendosjen e pajtimit kombëtar”.

Në fjalën e rastit gjatë ceremoninë së dekorimit, Presidenti Meta u shpreh se ky vlerësim solemn për Imzot Massafrën mishëron simbolikën e duhur sepse nga njëra anë përkon me jubilen e Vitit të Skënderbeut dhe nga ana tjetër dekorata mban emrin e Shenjtores së madhe për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza.

Ai tha se kontributi i Imzot Massafrës në Shqipëri, tashmë prej më shumë se 25 vitesh, si një ‘udhëheqës shpirtëror’ dhe një klerik i devotshëm nuk mund të përkufizohet vetëm në rolin e tij të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin e komunitetit katolik shqiptar.

“Veprimtaria dhe përkushtimi i tij jetësor shkon madje përtej kornizës religjoze për kultivimin dhe promovimin e vlerave tona unike të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare. Imzot Massafra me dashurinë dhe dimensionin universal të një humanisti, ka sakrifikuar shumë në misionin e tij në luftën kundër fenomenit të kahershëm dhe plagës së dhimbshme të shoqërisë tonë, pikërisht atë të gjakmarrjes”, u shpreh Presidenti.

Ai shtoi se sot kemi dëshmitë shpresëdhënëse të dhjetëra familjeve, të cilat me ndërmjetësimin personal të Imzot Massafrës dhe në emër të besimit të tyre, i kanë falur gjakun njëra-tjetrës.

“Ka ardhur koha që ta kthejmë këtë shembull frymëzues paqeje dhe pajtimi të Imzot Massafrës në misionin e mbarë shoqërisë shqiptare për ta ‘arkivuar’ një herë e mirë fenomenin e gjakmarrjes në ‘muzeun e historisë”, deklaroi Presidenti. /a.y/noa.al