Transmetuar më 28-06-2018, 19:05

Artistë e aktorë të njohur të skenës shqiptare, si Alfred Trebicka, Armando Bora, Artan Imami, Laert Vasili, Monika Lubonja, Gazmend Paja etj, iu përgjigjën ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në dëgjesën e fundit për çështjen e teatrit të ri, i ftoi të vizitonin kantierin e ndërtimit të stadiumit “Arena Kombëtare”, për të parë nga afër ecurinë e punimeve.

Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti i njohu artistët dhe aktorët me mundësitë e mëdha që ka krijuar ky lloj bashkëpunimi, për realizimin në një kohë të shkurtër të një vepre të tilla moderne për sportdashësit shqiptarë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falenderoi artistët që pranuan ftesën dhe u shpreh se Tirana dhe e gjithë Shqipëria, do të ketë një nga stadiumet më moderne në Europë.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me miq aktorë, që kanë qenë pjesë e debatit konstruktiv për teatrin e ri, patëm sot një vizitë, së bashku me Marco Casamontin, arkitektin e famshëm italian, që jo vetëm ka projektuar, por edhe po e mbikëqyr deri në detaje stadiumin e ri të Tiranës. Është një stadium padyshim, më moderni sot në Europë, nga rifinitura deri te koncepti bazë. Sot ishte vetëm një tjetër premtim i mbajtur për t’u treguar aktorëve se çfarë potenciali dhe fuqie kemi me teatrin e ri, që besoj do të jetë kantieri i ardhshëm, pas stadiumit, për Tiranën”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se projekti i stadiumit kombëtar, ashtu si edhe ai i teatrit të ri, janë dy projekte të mëdhenj, që do ishin të pa mundur të realizoheshin me paratë publike dhe mbi të gjitha, të përfundohen në një kohë të shkurtër.

“Një stadium dhe një project gjigant, i papërballueshëm vetëm me kostot e shtetit, qoftë kjo qeveria apo bashkia, me një partneritet privat, ku tashmë privati ka marrë një hotel me 5 yje dhe ka filluar punën, ndërkohë publiku ka marrë një stadium me vlerë 70 milionë euro”, tha kryebashkiaku.