Transmetuar më 11-07-2018, 21:45

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmie Pagarusha pas daljes nga spitali, e cila u shtrua pas disa lëndimeve që i kishte marrë në shtëpi.

“Janë disa njerëz që çdo gjëje i japin shkëlqim dhe jetën e bëjnë më të bukur. E tillë është ikona e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Kryeministri Haradinaj këtë vizitë e ka zhvilluar së bashku me bashkëshorten e tij Anitën.

“E vizituam sot në shtëpinë e saj tek po merr trajtim mjekësor pas një lëndimi dhe i uruam shërim të shpejtë. Bylbyli i muzikës shqiptare ishte gjithmonë shembull i forcës njerëzore përballë sfidave dhe ajo do t’ia dalë edhe kësaj herë, me sukses”, ka shkruar Haradinaj.

Nexhmie Pagarusha më 7 maj mbushi 85-vjeçe, ndërsa cilësohet si bilbili i këngës shqipe.

Në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë së asaj kohe Bujar Nishani, e ka dekoruar Pagarushën me titullin “Nderi i Kombit”./a.k/noa.al/