Transmetuar më 14-07-2018, 13:42

Nga Spartak Ngjela

Vërtet mendoni se ka një shtet në botë që të ketë si gjytqtar të Gjykatës së Lartë një individ që ka qenë dënuar më parë për vjedhje?

Ky vend është vetëm Shqipëria, dhe një gjyqtar të tillë mund ta emërojë vetëm Berisha dhe tabori i tij i korruptuar.

l.

Shoqëria shqiptare është në gjendjen e një krize të rëndë morale brenda Shqipërisë, por ndërkohë është në një sukses të madh historik të jetës së saj ndërkombëtare.

Kriza morale shoqërohet gjithmonë me mungesën e drejtësisë. Një shoqëri që sundohet, dhe ku nuk ka drejtësi, ka një krizë morale të përhershme.

Shqipëria është vepër e njerëzve të saj të mëdhemj, Rilindasve të Mëdhenj, por shqiptarët kanë mbijetuar me një sakrificë sublime nga lufta shfarosëse që i kanë bërë: osmanët, Rusia, fqinjët, sllavët e ardhur nga stepat, dhe grekët e ardhur nga Anadolli në territoret shqiptare. E gjithë historia e Shqipërisë territoriale është falsifikuar, por falsitetin historik po e rëzon gjuha shqipe.

Kudo sot në rrethet shkencore të universiteteve të mëdhenj në Europë dhe në Amerikë, po flitet për gjuhën shqipe dhe historinë e Arbërisë dhe shqiptarëve në një sens kombëtar. Kjo vërehet dhe në të gjithë Gadishullin Ilirik.

Por janë në krizën shqiptare të korrupsionit të lartë shtetëror shqiptarët e Shqipërisë, një krizë e thellë morale kjo që imponohet nga defekti i madh historik i qeverisjeve të korruptuara – sigurisht.

Shenja më e fundit është gjyqtari i lartë, Thanza, i dënuar për vjedhje në Itali.

Kurrë nuk duhet menduar se ky rast është më tipiku i krizës morale që po kalon Shqipëria.

Bëmat korruptive të Berishës dhe Metës, e bëjnë rastin e gjyqtarit Thanza të quhet minor.

Kjo është një bandë që ka uzurpuar Shqipërinë.

ll.

Dy kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve: fqinjët aneksues territoresh shqiptare, të përkrahur nga Stambolli dhe Moska, dhe korrupsioni i liderëve shqiptarë që kanë qeverisur Shqipërinë nga viti 1925 e deri më sot. Këta kanë qenë hajdutë dhe renegatë – shpejt do të shihen me fakte të gjitha bëmat e tyre.

Historia korruptive e Shqipërisë ka kaluar nga një mbret që vrau kundërshtarët e tij me anë të vrasësve të paguar nga Beogradi, te një gjeneral terrorist që, për llogari të Beogradit, vrau në vitin 1945-1946 gjithë intelektin e lartë patriot të shqiptarizmës, dhe eliminoi fizikisht të gjithë krerët e klerit katolik shqiptar, njerëz të mëdhenj që provonin autoktoninë shqiptare në çdo orë të ditës.

Por historia ka ecur pastaj, nga general Enver Hoxha, vasal i Beogradit që vrau intelektin e lartë shqiptar dhe krerët e kishës katolike, te mjeku i Beogradit, Sali Berishs, që shkatërroi arsimin shqiptar, ekonominë e Shqipërisë dhe goditi të gjithë intelektualizmin shqiptar.

Kurse sot, gjendja ka ardhur, nga mjeku i Beogradit, te mësuesi i vizatimit Rama, që vërtitet e nuk lodhet në mbrojtje të korrupsionit shtetëror, por që shkon e kullot në Stamboll kur vetë Erdogani kërkon ndihmën e Serbisë për shfuqizimin e Shqipërisë.

Të gjithë janë të trembur nga partnershipi shqiptaro-amerikan, dhe janë hedhur në sulm për ta frenuar Amerikën nga brenda Shqipërisë.

Kjo sigurisht që është një ndërmarrje e çmendur por që në fakt është mendimi i vobegtë i Edi Ramës, që kujton se mund ta mposhtë politikën amerikane në Shqipëri me anë të Erdoganit dhe presidentit serb.

lll.

Si rrjedhojë historike, kjo krizë morale që konstatohet, nuk ka filluar sot, por sot është në kulmin e vet.

Pasi ka qenë pronë e tiranëve për 65 vjet (1925-1990), në 25 vjetët e fundit, Shqipëria ka qënë pronë e qeverive abuzive, e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të cilët, të gjithë bashkë, kanë përbuzur dhe kanë varfëruar shqiptarët pasi i kanë vjedhë ata. Të gjithë kanë urryer drejtësinë shoqërore. I tillë është dhe korrupsioni i sotëm kryeministror.

Po si jànë lidhur këta , dhe, a kanë më të ardhme?

Çfarë përfaqësojnë dhe çfarë do të bëhet me ta?

Si do të zhvillohet më tej historia e Shqipërisë dhe e të gjithë botës shqiptare në Ballkan?

Në çfarë niveli është sot aleanca shqiptaro-amerikane kundrejt historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Cila janë kartat që po luan sot korrupsioni kryeministror Berisha-Meta-Rama kundër interesit shqiptar në Ballkan?

A do ta çojë deri në fund politika Amerikanë likuidimin Berisha-Rama-Meta si qëndrat kryesore të korrupsionit shqiptar dhe të shitjes së interesit kombëtar te fqinjët pushtues territoresh shqiptare?

Korrupsion i aktual shqiptar nuk ka më të ardhme, të gjitha këto që bien si këmbanat nga politika amerikane, në ndihmë të shqiptarëve dhe të çështjes shqiptare, janë pjesë e marshit funebër që po përcjell korrupsionin kryeministror shqiptar.

Politika amerikane nuk ka shkelur asnjë marrëveshje dhe asnjë zotim; dhe ajo është zotuar botërisht për ndihmën anti – korrupsion që do t’u japë shqiptarëve. Por kjo ndihmë antikorrupsion që po iu jep shqiptarëve, është me rëndësi për shqiptarët, sepse vetë kjo është në fakt pjesë e politikës amerikane globale që ka të bëjë më Ballkanin Perëndimor. Prandaj, kjo është arsyeja që lufta antikorrupsion në Shqipëri ka të bëjë më suksesin e politikës amerikane në Europën e ardhëshme.

Dhe kjo është shumë për historinë e ardhme të Shqipërisl.

Pikërisht këtu vjen dhe e merr forcën e vet morale angazhimi amerikan; por këtu e gjen garantimin e aktit amerikan anti-korrupsion edhe shoqëria shqiptare që po e pret këtë akt, i cili në fakt ka filluar.

Gjykimi kryesor në këtë angazhim amerikan, është ky: klasën e korruptuar të politikës aktuale shqiptare nuk e pranojnë as shqiptarët dhe as Uashingtoni.

Po shqiptarët a janë të ndërgjegjësuar kundër korrupsionit kryeministror?

Janë të ndërgjegjësuar, po nuk kanë forcë.

lV.

Shoqëria shqiptare nuk është e strukturuar demokatikisht prandaj nuk mund të ketë forcë kundërshtuese. Mbrojtja e të drejrave bëhet vetëm institucionalisht, si mund të mbrohen të drejtat kur edhe institucionet, edhe gjykatën e drejton korrupsioni?

Prandaj këtu del në pah angazhimi amerikan dhe marrëveshja shqiptaro-amerikane për politikën e ardhëshme në Ballkanin Perëndimor.

Por, ndërkohë kjo marrëveshje ka vetëm një armik: korrupsionin kryeministror shqiptar?

Cila janë kartat që po luan sot korrupsioni kryeministror Berisha-Meta-Rama kundër interesit shqiptar në Ballkan?

E para është bashkimi i tyre pavarësisht nga ngjyrat. Por janë të gjithë si të çakërdisur: Basha shkon në Amerikë se kërkon të ndalojë ambasadoren e re në Senat. Është mendim fëminor, por në fakt kjo duhet të jetë mendja e Saliut.

Rama mbeti në Ankara te Erdogani, se është një mendje e vobegtë politike, dhe e kujton Shqipërinë një kafshatë që mund ta hanë fqinjët, sikurse e kanë ngrënë para një shekulli. Jo, sot është e kundërta: shqiptarët do t’i marrin të gjitha aneksimit e fqinjëve. Por kjo në fakt ka bashkuar presidentin truk me presidentin serb; kurse Ramë ziu e mban shpresën këtu, të këta të dy. Ndersa i trembur Rama, në samitin e NATO-s dje, vërtitej që ta shihte presidenti amerikan për t’i treguar se tani është i tij. Injorant që e kujton presidentin amerikan si Ilir Metën kur e gënjeu për ta kandiduar në Tiranë si kryebashkiak.

Prandaj këtu del kjo pyetje:

A do ta çojë deri në fund politika Amerikane likuidimin Berisha-Rama-Meta si qëndrat kryesore të korrupsionit shqiptar dhe të shitjes së interesit kombëtar te fqinjët, të cilët historikisht janë pushtues territoresh shqiptare?

Sigurisht që po. Politika amerikane tani ka marrë kushtetutën shqiptare. Prandaj e ka gjithçka në dorën e vet. Ndërkohë pritet që të krijohet SPAK-u dhe të fillojnë goditjet penale., sepse me këtë gjykatën e sotme është e pamundur që të luftohet korrupsioni kryeministror shqiptar.

Angazhimi amerikan patjetër që do të shkojë deri në fund. Të tre kryeministrat Meta, Berisha dhe Rama do të jenë subjektet e parë të goditjes penale, sepse, nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të kish një zotim amerikan anti-korrupsion në Shqipëri.

Por shqiptarët janë skeptikë… dhe kanë të drejtë, sepse janë zhgënjyer në 150 vjet rresht në një luftë për jetë a vdekje. Por tani kanë fituar përfundimisht.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al