Transmetuar më 16-07-2018, 11:20

Kryeministri Edi Rama, thotë se 100 fshatra në vendin tonë, do të kthehen në destinacione të mirëfillta turistike.

Duke folur ditën e sotme gjatë nënshkrimit të marrëveshjes “100 fshatrat”, ai deklaroi se krijohet një rrjet bashkëpunimi mes qeverisë dhe botës universitare, për projektet e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale në funksion të 100 fshatrave të përzgjedhur për t’u kthyer në destinacione të reja turistike.

Sipas tij, e gjithë qeveria është e fokusuar në këtë proces.

“Të gjithë bashkë do të krijojmë një produkt, i cili do jetë vlerë e shtuar në ekonomi. Kemi një hartë turistike të shfrytëzuar në bregdet në disa qytete me trashëgimi kulturore të fortë, e zhvilluar pjesërisht në pak pika të Shqipërisë malore, ndërkohë që kemi një hapësirë pafundësisht me potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuar në gjithë pjesën tjetër”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se sa më shumë të shfrytëzohet hapësira e pashfrytëzuar, do të kuptohet se nuk mungojnë mundësitë por dija, duke nënvizuar se “Akademia e 100 fshatrave”, do ndihmojë për orientimin e financimeve dhe orientimin e mëtejshëm.

Rama deklaroi se tashmë mund të shihet e ardhmja aty ku është toka e prindërve.

Ai shprehu besimin se turizmi dhe më konkretisht agroturizmi si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore, vlerave të trashëgimisë kulturore, historisë dhe historive për tu treguar është një instrument efikas dhe i papërdorur deri më sot për daljen nga varfëria për kthimin e vëmendjes së emigrantëve ndaj vendlindjes. /a.y/noa.al