Transmetuar më 17-07-2018, 08:04

Gjatë vitit të kaluar janë vërë prurje të mëdha cash-i në llogaritë e bizneseve në banka nga persona të tjerë, të cilat nuk kanë mundur të justifikohen nga punonjësit e bankave. Inspektorët e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë në inspektimet e tyre gjatë vitit të kaluar kanë gjetur mospërputhje të veprimeve të bankave me ligjet dhe rregulloret e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.

“Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, të cilat mbeten kryesisht në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike (cash) në llogaritë individuale dhe tregtare”, thuhet ne konkluzionet e inspektimeve të Bankës Qendrore.

Kontrollet kanë zbuluar se ka raste që bankat nuk disponojnë dokumentacionin dhe njohuritë për marrëdhëniet ndërmjet disa kompanive që kryejnë transferta hyrëse në shuma të mëdha në llogaritë e tyre.

Vitin e kaluar sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë u vu re një rritje e pazakonte e llogarive të biznesit. Nga Mars 2017 deri në janar 2018 depozitat e biznesit në banka u rritën me 140 milionë euro, teksa depozitat e individëve nuk ndoqën këtë trajektore, përkundrazi kursimet e tyre ranë.

Më tej Banka e Shqipërisë në inspektimet e saj me fokus me rastet e pastrimit të parave ka gjetur transaksione të pajustifikuara të kryera për punonjësit e bankës.

Në rast të tjera u gjetën mospërputhje e të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tij.

Bankat nuk kishin identifikimin e saktë të strukturës së pronësisë në momentin e inicimit të marrëdhënies së biznesit me kompanitë me aksione të prurësit, ku nuk janë përdorur dokumente ligjërisht të vlefshme si dhe nuk janë monitoruar në vazhdimësi për ndryshime të mundshme në strukturën e pronësisë.

Gjithashtu janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve biznes në sistem, si dhe të klasifikimit të klientëve sipas rrezikut, ku u konstatuan mangësi në kundërshtim me ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Në lidhje me pastrimin e parave, Banka e Shqipërisë ka referuar se Vlerësimi i Integruar i Transfertave, rezultoi me rrezik të ulët për 3 subjekte, me rrezik mesatarisht të ulët për 2 subjekte (2 banka), me rrezik mesatarisht të lartë për 4 subjekte (4 banka) dhe me rrezik të lartë për 14 subjekte (10 banka dhe 4 IFJB), shkruan ‘monitor’.

Vlerësimi i integruar i transfertave përbëhet nga integrimi i dy vlerësimeve, vlerësimi i numrit të transfertave dalëse dhe hyrëse, si brenda dhe jashtë vendit, si dhe vlerësimit të vlerës së transfertave dalëse dhe hyrëse, si brenda dhe jashtë vendit.