Transmetuar më 23-08-2018, 17:34

Presidenti i Kosovës ka reaguar sërish për një prej temave më të nxehta atje, që lidhet me kufijtë.

Përmes një statusi, kreu i shtetit ka shkruar se nuk bëhet fjalë për shkëmbim territoresh me Serbinë, por për korrigjim.

Madje, në reagim, Thaçi shkruan se ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve, ky ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994. Ndërsa, qëndrimi im sot si President i Republikës së Kosovës, ka evoluar dhe është i qartë: jo ndarje, jo shkëmbim, po korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Por ky artikulim ka përçarë politikën në kosovë.

Edhe ndërkombëtarët janë shprehur kundër ndyshimit të kufijve në Ballkan. /k.k/noa.al/