Transmetuar më 02-08-2018, 14:53

Uji Spring është tashmë partner i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, në mbështetje të objektivave globale për zhvillim të Qëndrueshëm.

Objektivi 3, “Shëndet i mirë dhe Mirëqenie” do të përcillet në çdo familje shqiptare nëpërmjet ujit Spring, i cili shpërndahet gjerësisht në mbarë Shqipërinë në dyqane, supermarkete, institucione, biznese private etj. 

Plot 20 milionë shishe uji Spring do të komunikojnë në etiketë mesazhin e këtij objektivi, duke ndërgjegjësuar shoqërinë për një jetë të shëndetshme dhe mirëqenie për të gjithë.

Në etiketën e re, konsumatori do të gjejë faqen e internetit të OKB-së në Shqipëri (klikoni këtu) ku mund të mësojë më shumë për Objektivat Globale.

Në takimin e zhvilluar midis dy palëve Presidenti i Agna Group, Vasil Naçi theksoi së “Përmes Ujit Spring dhe OKB-së, sjellim pranë çdo shtëpie, në të gjithë Shqipërinë, përpjekjet për të ndërgjegjësuar çdo individ dhe familje për më tepër kujdes për shëndetin, për mirëqenien, por edhe për ambientin”.

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, z. Brian Williams u shpreh se “Kombet e Bashkuara janë krenare të bashkëpunojnë me Agna Group për një nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat përfaqësojnë një axhendë ambicioze zhvillimi për të gjithë botën. Këto objektiva nuk mund të zbatohen pa pasur mbështetjen e sektorit privat. Agna po jep një shembull të rëndësishëm për komunitetin e biznesit në Shqipëri e jo vetëm, se si të çohen përpara këto objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm për shëndetin dhe mjedisin. Uji është një prej gjërave thelbësore që kemi nevojë për të qenë të shëndetshëm”.

Uji Spring buron nga burimi i mirënjohur i Vrizit, në Nepravishtë dhe botilohet në fabrikën moderne të Glinës qysh prej vitit 2008. Përveç parametrave ekologjikë të paketimit, uji është i çertifikuar për cilësinë e tij sipas standardeve më të larta të Organizatës Ndërkombëtare të Standardeve të Cilësisë.

Spring është i vetmi ujë shqiptar që ka ulur me 30% sasinë e plastikes në çdo shishe, për një paketim më ekologjik, duke u kujdesur jo vetëm për shëndetin e mirë, por edhe për ambientin.

Uji Spring prej vitesh është i angazhuar në mbështetje të projekteve për grupet sociale në nevojë, në kujdesin për ambientin, sportin dhe sportistët e talentuar. Tashmë Spring na fton të kujdesemi për shëndetin e mirë dhe mirëqenien e gjithsecilit në Shqipëri. /noa.al/