Transmetuar më 03-08-2018, 15:52

Presidenti i Republikës. Ilir Meta, pak ditë pasi refuzoi dekretimin e ligjit që i hap rrugën shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së godinës së re, komentoi sot vendimin e tij.

Z.Meta tha se në cilësinë e kryetarit të shtetit ai nuk mund të qëndronte indiferent përballë një serie shkeljesh serioze të kushtetutës, ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare.

Meta kthen në Kuvend ligjin për Teatrin dhe jep 9 arsye

Nga Shkodra ku ishte për nismën e tij e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, Meta tha se u bazua te Kushtetuta.

“Po bëhet gati 1 vit nga momenti i fillimit të detyres sime si president dhe deri më tani numri i ligjeve të kthyera janë vetëm 3. Ai i tarifave gjyqësore, që u reflektua nga kuvendi, pasi ishin të papërballueshme nga qytetarët, së fundmi edhe 2 ligjet ai për teatrin dhe tatimi mbi të ardhurat, që ka të bëjë me lojrat e fatit.

Në arsyetimet e bëra bazohemi në kushtetutë dhe në interesin kombëtar, kuvendi ka detyrimin t’i rishqyrtojë, të reflektojë ose jo në varësi. Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent apo të qëndrojë në heshtje për çeshtje që krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese, objektivat që kemi sa i takon shtetit, shoqërisë, detyrimeve ndërkombëtare etj, apo që mund të krijojnë precedente shqetësuese në të ardhmen, që mund të cënojnë autonominë e pushtetit vendor. Duhet te evitojmë çdo precedent”, deklaroi Meta.

Ai tha se duhet ruajtur trashëgimia kulturore. Madje Meta u ndal edhe te një shembull konkret nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas kreut të shtetit, as nazistët nuk u bombarduan, për të ruajtur godinat.

“Unë besoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është detyrë e të gjithëve. Për fat të keq në të kaluarën nuk jemi treguar të kujdesshëm ndaj këtyre vlerave, kemi dëmtuar shumë prej tyre. Historia e shtetit tonë nuk është shumë e vjetër dhe kemi nevojë të jemi më të përgjegjshëm për çdo vlerë që kemi nga e kaluara. Sot lexova dokumentat e një historiani shqiptar se gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Tiranës, edhe pse Mehmet Shehu u kishte kërkuar anglezëve që për lirimin nga nazistët të bombardohej qendra e Tiranës, ata nuk kishin pranuar këtë urdhër për arsye se nuk kishin dashur të dëmtohej ky kompleks godinash, që mbart vlera të rëndësishme për kryeqytetin”, vijoi Meta.

Presidenti është kritikuar nga mazhoranca lidhur me vendimin e tij për të kthyer ligjin sërish në Kuvend. /a.m./noa.al/

Mazhoranca nuk tërhiqet pasi Meta ktheu ligjin për Teatrin, Veliaj: Në shtator rinis puna!