Transmetuar më 03-08-2018, 16:17

Çështja e teatrit vijon të mbajë të ndezur debatin politik në vend. Studiuesi Erald Kapri, në kulmin e debateve flet për një histori të panjohur më parë.

Ai thotë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, anglezët refuzuan të bombardonin nazistët për të shmangur shembjen e godinave të bulevardin e Tiranës.

Ai thotë se në muajin Nëntor 1944, ishin hedhur mbi 240 bomba në Tiranë, por asnjë në qendrën historike.

Me këtë ai jep mesazhin se edhe në luftë është mbrojtur qendra historike e Tiranës.

“Forcat gjermane nuk e lëshonin qendrën e Tiranës dhe i frustruar nga pamundësia e marrjes së qendrës së saj, Mehmet Shehu kërkon bombardimin e zonës historike të Tiranës. Shtabi gjerman ndodhej tek pallati i Princeshave, trupat e tjera mbanin ministritë dhe Bulevardin. Majori Britanik e refuzoi dhe nuk pranoi të bombardojë qendrën e Tiranës, duke shpëtuar me vetëdije zonën historike të Tiranës”, shkruan Kapri.

Postimi i plotë:

Kjo është një histori e patreguar për Teatrin Kombëtar.

Në betejen e Tiranës, Mehmet Shehu e rrethoi kryeqytetin me 3 mijë forca partizane dhe për 3 javë u zhvilluan luftime në periferi të saj. Pranë tij ishte Majori Britanik Oliver i cili koordinonte sulmet ajrore dhe për 10 dite, mbi 240 bomba u hodhën nga aviacioni britanik, nga Sauku në Vorë.

Forcat gjermane nuk e lëshonin qendrën e Tiranës dhe i frustruar nga pamundësia e marrjes së qendrës së saj, Mehmet Shehu kërkon bombardimin e zonës historike të Tiranës. Shtabi gjerman ndodhej tek pallati i Princeshave, trupat e tjera mbanin ministritë dhe Bulevardin.

Majori Britanik e refuzoi dhe nuk pranoi të bombardojë qendrën e Tiranës, duke shpëtuar me vetëdije zonën historike të Tiranës. Mëngjesin e datës 17 nëntor 1944, kur gjermanët ishin tërhequr, Majori Oliver bëri këtë foto të qendrës së Tiranës në taracën e Hotel Dajtit.

Edhe pse luftimet ishin të ashpra, ajo nuk u prek dhe Teatri, në të djathte të fotos, nuk ka asnjë shenjë plumbi dhe u ruajt në gjendje optimale. Kjo histori duhet të na shërbejë për të vlerësuar ato që kemi, dhe Teatri Kombëtar është një ndër to, që duhet “konservuar” dhe ruajtur me fanatizëm.