Transmetuar më 03-08-2018, 16:22

Në Shqipëri, gjenden të paktën katër mijë pika bastesh sportive. Shtoji këtyre edhe qindra pika kazinosh e lojërash të tjera fati, Shqipëria është bërë vendi i “lugës së artë” për ata që bëjnë biznes me lojëra fati.

Artan Shyti, kryetari i Shoqatës së Kompanive të Basteve Sportive në Shqipëri, në një intervistë, thotë se kompanitë e basteve janë menaxhuese të një aktiviteti që janë bastet në sport dhe shton se ato tatohen, kontrollohen dhe vlerësohen rreptësisht nga Autoriteti i Menaxhimit të Lojërave të Fatit, organ i Ministrisë së Financave. Shyti shton se kompanitë e basteve paguajnë deri 14 milionë euro në vit tatime, por shton se këtu ka një paradoks: “Pavarësisht nëse fitojnë apo jo dhe ky është një handikap i madh ligjor e tatimor, sepse bastet nuk janë një aktivitet ku fitimi është i planifikueshëm dhe i parashikueshëm. Ka periudha të gjata kur kompanitë janë me humbje, por vazhdojnë të paguajnë të njëjtat taksa kombëtare e lokale ashtu si në periudhat, që dalin me fitim. Ky është një rast unikal në menaxhimin e një aktiviteti ekonomik në Shqipëri”.

Shyti pohon se ka raste të aktiviteteve ilegale në fushën e basteve sportive kurse shton se Shoqata e Kompanive të basteve ka pretendimet e veta shumë serioze për efektshmërinë e bazës ligjore, që rregullon funksionimin e këtij aktiviteti dhe është përpjekur që të japë kontributin e saj që kjo bazë ligjore të përsoset, bazuar në standardet evropianë të menaxhimit të këtij sektori.

Ka disa arritje por ka gjithashtu edhe shumë për të bërë që edhe në këtë fushë të përafrohet legjislacioni shqiptar me atë evropian, – pohon z.Shyti.

Të ligjshëm dhe… pa licencë

Aktiviteti i kompanive të basteve ndodhet nën mbikëqyrjen e organeve të posaçme shtetërore, siç është Autoriteti i Menaxhimit të Lojërave të Fatit, pranë Ministrisë së Financave.

Sipas të dhënave nga zyrat tatimore, pikat e basteve sportive derdhin në buxhetin e shtetit rreth 14 milionë euro çdo vit.

Na ana tjetër shfaqet një fakt absurd dhe paradoksal: Vetëm tre kompani bastesh janë të licencuara nga ministria shqiptare e Finacave. Vetëm ato kompani kanë të drejtë të hapin pika bastesh dhe jo më shumë se një e treta e numrit të përgjithshëm të katër mijë pikave të basteve sportive, janë hapur nga kompani të licencuara.

Pjesa tjetër, edhe pse paguajnë tatime në shtet, janë të palicencuara.

Duke krijuar në këtë mënyrë një amulli të madhe, në funksionimin e një tregu të tillë, i cili është lidhur edhe me dukurinë e fiksimit të ndeshjeve.

Asgjë nuk ka ndryshuar, bastet po dalin si kërpudha pas shiut

Përhapja e madhe e basteve në Shqipëri është rezultat i disa faktorëve, por më kryesori mbeten politikat favorizuese të shtetit.

Në vitin 2015, Parlamenti miratoi një ligj për kufizimin e pikave të basteve dhe vendosjen e një distance të detyrueshme me shkollat apo objektet fetare.

Por, edhe pse ligji duhej të fillonte zbatimin që nga 1 janari i vitit 2017, përmes një amendamenti të beftë Parlamenti e shtyu hyrjen në fuqi të masave kufizuese edhe me dy vite të tjera, për në 1 janar të vitit 2019.

Ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë pasi ka disa vite që shtyhet largimi i pikave të lojërave të fatit nga zonat urbane dhe përqendrimi i tyre në periferi të caktuara.

Në vend që të ndodhte largimi i tyre, është shtuar shqetësueshëm, numri i njësive të lojërave të fatit, e sidomos basteve sportive.

Ato tashmë i gjen kudo, në rrugë dhe rrugica, madje disa të tilla, përgjatë një aksi të shkurtër rrugor.

Përgjithësisht, pikat e basteve janë njësi tregtare (dyqane) të vogla, por kohët e fundit vërehet tendenca e hapjes së shumë bar-kafe me kushte më komode, duke ofruar baste sportive.

Në vende si Qipro apo Turqia, kazinotë dhe lojëra të tjera të fatit janë të ndaluara. Banorët e këtyre vendeve shfrytëzojnë Qipron e Veriut, e kontrolluar nga Turqia, për të frekuentuar lojërat e fatit.

Marrëzia e prishjes së parave në lojëra fati

Sakaq, nuk ndalet marrëzia e lojërave të fatit, sepse shqiptarët lanë në kazino e loto të ndryshme sportive, të paktën 132 milionë euro ose 46 euro për çdo shtetas shqiptar, vetëm në vitin 2017. Shifra është rreth 10 për qind më e lartë se në vitin 2016 ose 11 milionë euro më shumë.

Dhe të mendosh se kjo është vetëm shifra zyrtare që del nga shumat e deklaruara në shtet të pikave të lotove e basteve sportive dhe kazinove.

Disa ekspertë mendojnë se shifra është disa herë më e lartë, sidomos nëse evidenton edhe bastet e lojërat e tjera të fatit që luhen dendur online dhe për të cilat shteti nuk ka asnjë kontroll.

Këto lojëra dhe baste gjenden në faqe shqiptare dhe të huaja dhe atje luhen shuma të mëdha në lekë dhe valutë. /noa.al/