Transmetuar më 04-08-2018, 13:21

Partia Demokratike, thotë se prej të paktën një muaji, shqiptarët janë bërë dëshmitarë sesi vetingu është shndërruar në një proces që nuk pastron pallatin e drejtësisë, por mban në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar.

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, deklaroi sot për mediat se Brikena Ukperaj, gjyqtarja e Apelit në Vlorë është një nga rastet kur vetingu ka vepruar me dy standarde, duke ligjëruar pasuri të pajustifikuara të gjyqtares Ukperaj.

“Mos justifikimi dhe mungesa e një hetimi të thelluar nga organet e vetingut për një shtëpi në emër të bashkëshortit, problemet për blerjen e një automjeti, për të cilin organet e vetingut nuk hetuan me vëmendje, mosverifikimi i plotë i ankimit të familjes Bodo kundër vendimit të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun, që favorizoi deputetin socialist Fidel Ylli, janë tre pikat e errëta të vendimit të organeve të vetingut, që po mban në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të korruptuar”, u shpreh Zhupa.

Ajo shtoi se arsyeja përse Brikena Ukperaj ka kaluar shkallën e parë të vetingut, pavarësisht problemeve me pasurinë dhe vendimit për aferën e 200 hektarëve në Karaburun, shpjegohet me skemën e Edi Ramës për të kontrolluar Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në këtë drejtim shtoi se, që skema e Ramës për kapjen e qeverisë së gjyqësorit të realizohet, gjyqtarja e Apelit të Vlorës duhet të shpallë kandidaturën për në KLGJ.

Ajo tha se Brikena Ukperaj është person kyç në skemën e Edi Ramës, dhe po nxitet prej tij të aplikojë për ta zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Zhupa deklaroi se, me shumë gjasë, gjyqtarja e Apelit të Vlorës, me pasuri të pajustifkuar, por e konfirmuar në detyrë, do të mbetet e vetmja kandidate potenciale për në KLGj, duke qenë kështu një kamikaze në këtë Këshill dhe zbatuese e qartë e skemës së Edi Ramës për të kapur sistemin gjyqësorë, veçanërisht Gjykatën Antikorrupsion.

“Me një gjyqtare lehtësisht të shantazhueshme për pasuritë e pajustifikuara dhe vendimet e dyshimta, Edi Rama e ka më të lehtë kapjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor akoma pa u ngritur, duke e shndërruar reformën në drejtësi në një farsë politike dhe duke shuar shpresat e shqiptarëve për një drejtësi që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, deklaroi zëdhënësja e demokratëve.

Në emër të PD, ajo shprehu shqetësim duke thënë se procesi i vetingut po diktohet nga Rama, ndërsa shtoi se qytetarët kanë të drejtë të dinë se nëse procesi i vetingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Brikena Ukperaj do të ishte shkarkuar nga detyra, si një nga gjyqtarët e korruptuar. /a.y/noa.al