Transmetuar më 04-08-2018, 14:29

Shqipëria po rrudhet nga viti në vit. Këtë e tregojnë shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave në raportin vjetor për regjistrimet dhe diplomimet në arsim. Të dhënat e krahasuara me një vit më parë flasin për një ulje me 3.8% të nivelit total të nxënësve, në të gjitha nivelet e arsimit. Kjo tkurrje shpjegohet jo vetëm me uljen e lindshmërisë dhe braktisjen e vendit nga familjet, por dhe nxënës që zgjedhin të studiojnë jashtë.

STATISTIKAT

Ulje në të gjitha nivelet e shkollimit, që nga parashkollori e deri në universitet. Gati 20% e nxënësve që futen këtë vit në klasë të parë nuk janë të përgatitur, për shkak se nuk kanë frekuentuar arsimin parashkollor. Të dhënat e ndjekjes së shkollës në këtë grupmoshë kanë shënuar rënie prej 1.2% në raport me një vit më parë, pasi kanë marrë pjesë rreth 81 mijë fëmijë. Arsimin e detyrueshëm 9- vjeçar, që përbën dhe grupimin më të madh të nxënësve në raport me totalin, e kanë ndjekur rreth 320 mijë nxënës.

Sërish ulje me 2.5%, në të dyja ciklet: të ulët dhe të ulët të mesëm. Por në këtë mes ka një lajm të mirë. Pjesëmarrja e nxënësve në raport me numrin e atyre që duhet të kryenin arsimin e detyrueshëm është rritur krahasuar me vjet. Sakaq, shifra në rënie kemi edhe në arsimin e lartë. Në të gjithë programet kanë frekuentuar studimet afro 129 mijë studentë, ose 7.3% më pak se viti i kaluar. Pjesën më të madhe e përbën cikli i parë i studimeve, Bachelor, me 85.234 studentë me pjesën predominante femrat, 60.2%.

DIPLOMIMET

Në statistikat e INSTAT, ka një handikap të madh. Më pak nxënës vijojnë shkollën, ndërsa ata që diplomohen janë në rritje. Kjo, referuar të dy cikleve të shkollimit, atij të ulët dhe të lartë. Ndërsa arsimi i mesëm, që përbën një pjesë të konsiderueshme të nxënësve, ka pësuar një rënie të të diplomuarve 5.6% këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Nëntëvjeçaren e kanë mbaruar me sukses 36 mijë e n546 nxënës, duke shënuar një rritje të lehtë nga vjet.

Bumin e rritjes e kanë shënuar universitetet me 11% diploma më shumë në raport me vitin akademik 2016-2017. Një analizë më e detajuar e të dhënave në IAL-të e vendit flet për afro 35 mijë studentë të pajisur me diplomë, ku numri më i madh, 64.1% janë femra dhe 35.9 meshkuj.

Ekonomia e juridiku përbëjnë pjesën dërrmuese të profesionistëve të rinj, duke zënë 30% të tregut, ndjekur nga shkencat sociale, shkencat humane, shëndetësi dhe shkencat natyrore, shkruan ‘panorama’. Mësimdhënia vijon të mbetet “zanati i grave”, me 80.5% të të diplomuarve në një nga profilet e mësuesisë e po ashtu edhe shkencat sociale, gazetari e informacion. Nga ana tjetër, inxhinieritë, ndërtimi, bujqësia e veterinaria janë terren i burrave me mbi 60% të diplomuar në këto fusha.