Transmetuar më 04-08-2018, 15:11

“Nëse do dilja pa maskë, unë ose dikush tjetër do vuante një “damkë” nga shoqëria, media apo opinioni publik”.

Sot është 21 vjeç. Drogat e lehta si hashashi i provoi për herë të parë 14 vjeç. Më kalimin e kohës provoi edhe kokainën ndërsa kur mbushi 18 vjeç, nisi heroinën. Prej 7 muajsh tashmë , ai e ka lënë.

“E kam provuar për herë të parë pak minuta se të shkoja në punë dhe më jepte një lloj qetësie dhe kënaqësie”, shprehet ish-përdoruesi i drogës.

Paratë për blerjen e heroinës i siguronte në mënyra të ndryshme.

“Përveç punës dhe prindërve, merrja borxh nga miqtë ose jam të detyruar të përdor mënyrën ilegale, pra të shes vetë për të siguruar edhe pjesën time”, thotë 21-vjeçari.

Sot, ai vazhdon studimet në universitet, por krahas shkollës do ndihmojë edhe bashkëmoshatarët e tij qe të largohen nga droga. 21-vjeçari do jetë pjesë e stafit të një qendre rehabilituese speciale, që do të hapet së shpejti për herë të parë në Shqipëri.

“Plotësohet një nevojë e tregut dhe shoqërisë shqiptare. Sot nuk ekziston koncepti i qendrës së rehabilitimit. Njerëzit vrapojnë pas doktorëve sikur të ishte magjistar, por përveç medikamenteve për ta lënë apo për të mbajtur pastër trupin, nevojitet një trajtim psikologjik”, thotë 21-vjeçari, për ‘Tch’.

Përdoruesve të varur të heroinës në Shqipëri u ofrohet vetëm metadon, një substancë kjo që i ndihmon ti qëndrojnë larg drogës, ndërsa qendra e re e rahabilitimit, do synojë trajtimin e tyre disa mujor piskologjiko-social, në një mjedis kreativ. Në Shqipëri përllogariten rreth 8 mijë përdorues droge të rregullt që kanë kërkuar terapi.