Transmetuar më 04-08-2018, 18:13
Taulant Balla

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas vendimit hitorik të NATO-s për Shqipërinë, duke e shndërruar bazën e Kuçovës në bazë ajrore mbështetëse të NATO-s.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook Balla thekson: ‘Duke e vlerësuar Shqipërinë dhe Qeverinë e saj si partnerë të besueshëm Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor’.

Sipas Ballës ky vendim historik i Këshillit të Atlantikut vjen menjëherë pas Samitit të NATO-s në Bruksel 3 javë më parë, ku Presidenti Trump vlerësoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Rama për kuptimin dhe sinkronizimin me politikën amerikane të mbrojtjes.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

“NATO merr vendimin historik për Shqipërinë, duke e shndërruar bazën e Kuçovës në bazë ajrore mbështetëse të NATO-s për furnizim ajror, mbështetjen logjistike, mbështetjen e policimin ajror si dhe për trainime dhe stërvitje të Aleancës së Atlantikut Verior.

Duke e vlerësuar Shqipërinë dhe Qeverinë e saj si partnerë të besueshëm Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin zyrtar konfirmohet se NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, duke hapur një histori të re për zhvillimin ekonomik e social të gjithë zonës dhe rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore.

Ky vendim historik i Këshillit të Atlantikut vjen menjëherë pas Samitit të NATO-s në Bruksel 3 javë më parë, ku Presidenti Trump vlerësoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Rama për kuptimin dhe sinkronizimin me politikën amerikane të mbrojtjes. Uroj që edhe opozita të jetë zgjuar dhe ta përshëndesë këtë vendim historik për Shqipërinë”.