Transmetuar më 05-08-2018, 15:58

Nëpër filma kemi parë skena nga më tronditëse se si bandat torturojnë kundërshtarët e tyre. Por, shumë prej atyre skenave të tmerrshme në të vërtetë ndodhin përditë në luftën e egër mes karteleve të drogës.

Një ekzekutor mjaft i njohur i një prej karteleve meksikane të drogës ka bërë një rrëfim lidhur m “karrierën” e tij.

Ai thotë se ka vrarë 30 vetë dhe më pas u ndal pasi kuptoi se karteli për të cilin punonte po tentonte ta hiqte qafe pasi ai dinte shumë.

“Djali ujk” thotë se vrasjen e parë e ka bërë kur ishte 12 vjeç.

“Nuk e pëlqeja këtë punë, sidomos kur plaste gjaku. E kam nisur duke bërë gjërat e thjeshta, me të cilat e nisin të gjithë, si heqja e dhëmbëve, prerja e gishtave dhe pjekja e njerëzve të gjallë… Gjëra që duhen për t’i bërë që të flisnin. Nuk e shijoja, por bëja maksimumin për të qenë më i miri”, ka thënë ai në një rrëfim nga burgu.

Ai është intervistuar nga ish-pjesëtari i forcave speciale britanike Jason Fox, i cili po realizon një cikël dokumentarësh të titulluar “Njihuni me Zotët e Drogës: Brenda Narkove të Vërtetë”.

Ish-anëtari i SAS (Special Air Service) shkon vetë në Meksikë, Kolumbi dhe Peru, për të treguar se si funksionon bota e krimit të organizuar.

Ai madje ka hyrë edhe në ambientet e kartelit “Sinaloa” të kryesuar nga “El Chapo” i cili u ekstradua në SHBA në vitin 2017./a.m./noa.al/