Transmetuar më 07-08-2018, 11:49

Në urgjencën e Elbasanit u paraqitën disa dasmorë të cilët ishin me simptoma diarreje.

Mbrëmjen e së hënës u raportua se bëhej fjalë për 10 persona. Numri i tyre u rrit në 36 të cilët morën ndihmë ambulatore.

Raportohet se personat e paraqitur për ndihmë mjekësore ishin në dy dasma në të njëjtin lokal, drekën dhe darkën e të shtunës.

Mes tyre ishin edhe dy fëmijë. Ata kanë shkuar në spital me dhimbje stomaku dhe të vjella.

Mjekët thanë se konstatuan intoksikim organizmi.

Nëndrejtori i spitalit të Elbasanit Luan Rapi, thotë se personat e paraqitur janë në gjendje të mirë dhe asnjë nuk ka rrezik për jetën.

“Nuk ka pasur më fluks, nga mesdita pacientët mund të largohen nga spitali”, tha ai.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është vënë në lëvizje. Inspektorët e AKU kanë marrë mostrat e ushqimeve si dhe kanë bllokuar aktivitetin e lokalit deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të helmimit.

Dyshimet janë për helmim nga ndonjë ushqim, torta apo produkte të tjera të konsumuara dhe mbetet që kjo të sqarohet pas pak ditësh. /a.m./noa.al/