Transmetuar më 07-08-2018, 12:48

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar lidhur me lajmin që ka qarkulluar në mediat serbe se ai ka arritur një akord me kancelaren gjermane Angela Merkel për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas këtyre informacioneve, thuhej se Merkel ofronte një zgjidhje sipas së cilës komunat serbe do të mund të shkëputeshin pas 20 vitesh nga Kosova përmes një skeme të quajtur “Asociacion plus”.

Por, këto zëra janë mohuar nga presidenti Vuçiç i cili tha se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë për Kosovën.

Ai tha se “ideja që unë kam për Kosovën nuk i pëlqeu kancelares Merkel”.

Ai ka preferuar të mos komentojë deklaratat e fundit të homologut të tij kosovar Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh”. Por, ai ka shtuar se në Serbi pak vetë e duan zgjidhjen për Kosovën.

Ai ka thënë madje se ka ende nga ata që presin momentin të dëbojnë 1.5 milionë shqiptarë.

“Jemi të ndarë në ata që duan ta pranojnë Kosovën e pavarur dhe të vajtojmë për fatin e rëndë dhe të këndojmë këngë nëpër kafene se si të gjithë janë kundër nesh, dhe në ata që nuk duan fare të bisedojnë dhe që presin kohë më të mira kur do t’i dëbojmë 1.5 milionë shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka thënë më tej se “edhe pse nuk kemi para’, as sa një të qindtën që kanë shqiptarët për lobim, ne kemi arritur ta rregullojmë pozitën e Serbisë”./a.m./noa.al/