Transmetuar më 07-08-2018, 14:56

Shtetasit shqiptarë që humbën apo iu dëmtuan dokumentet e identifikimit gjatë zjarreve të 23 korrikut në Attiki të Greqisë do t’u mbulohen shpenzimet nga ambasada shqiptare në Athinë.

Vendimi është marrë nga ministria shqiptare e Punëve të Jashtme dhe u njoftua sot nga ambasada e Shqipërisë në Athinë.

“Njoftojmë shtetasit shqiptarë të cilët humbën apo iu dëmtua dokumentacioni identifikues (pasaportë – kartë identiteti) gjatë zjarreve të 23 korrikut në Attiki se me vendim të ministrit Ditmir Bushati, të gjitha shpenzimet administrative për zëvendësimin e tyre do të mbulohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare në Athinë.

Të interesuarit mund t’i drejtohen për fillimin e procedurave të aplikimeve për pasaportë ambasadës shqiptare atje.

Ndërkohë që në dispozicion nga autoritetet shqiptare në Greqi është vendosur dhe numri i telefonit: 210-6876215.