Transmetuar më 07-08-2018, 21:39

Temperaturat e larta, udhëtimet e gjata, mbinxehja apo gjendja teknike, kanë bërë që shumë automjete të digjen javët e fundit në rrugët e vendit.

Fatmirësisht në këto ngjarje nuk ka patur të lënduar në njerëz, por djegia e automjetit dhe përhapja e flakëve, mund të parandalohet me anë të fikseve të zjarrit që mbahen lehtësisht në makinë. Në Shqipëri shumica dërrmuese e drejtuesve të mjeteve e neglizhojnë këtë pjesë, ndërsa ekspertët thonë se ka ardhur koha të bëhet e detyrueshme.

“Kohët e fundit janë shtuar rastet e zjarreve në automjete. Ky është shqetësim edhe për shërbimin tonë, sidomos në orët e pikut të trafikut. Unë mendoj që çdo automjet duhet të jetë i pajisur me fikse zjarri, kohët e fundit kanë dalë edhe pajisje të tilla shumë të vogla, mendoj që duhet të bëhet me ligj, siç është kutia e ndihmës së shpejtë nevojitet edhe fiksja e zjarrit”, shprehet për TopChannel Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës, Tiranë.

Fiksja e zjarrit është e thjeshtë në përdorim. Ajo blihet vetëm një herë dhe në rast përdorimi, ajo rimbushet sërish me pluhur ose shkumë.