Transmetuar më 08-08-2018, 14:01

Tirana Bank, pjesë e Bankës së Pireut në Greqi, është blerë nga Grupi Balfin në Shqipëri dhe Komercijalna Banka në Shkup.

Balfin njoftoi sot se dy palët kanë nënshkruar një marrëveshje me Bankën e Pireut për të marrë në zotërim aksionet e Tirana Bank, pjesa më e madhe e të cilave do t’i përkasë Grupit Balfin.  Balfin dhe Komercijalna kanë një histori të gjatë bashkëpunimi në Maqedoni, por ky është rasti i parë kur ky bashkëpunim shtrihet edhe në Shqipëri.  Transaksioni po i nënshtrohet proceseve të miratimit të rregullave në fuqi në legjislacionet përkatëse.

Sipas njoftimi zyrtar nga Piraeus Bank në Greqi, blerja e 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank u bë për 57.3 milionë euro.

Tirana Bank do të vijojë të operojë e pavarur dhe do t’i zgjerojnë më tej veprimtaritë e saj bankare në Shqipëri. 

Tirana Bank ka qenë gjithnjë një bankë e rëndësishme në zhvillimet financiare të Shqipërisë, dhe është banka e parë private që u shfaq në tregun vendas.

Aktualisht Tirana Bank është banka e gjashtë më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, totali i aktiveve të bankës ishte rreth 80 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ose rreth 5.3% e totalit të aktiveve në sistem. Banka ka 4.2% të stokut të kredive dhe 5.2% të depozitave dhe e kishte mbyllur vitin 2017 me një fitim prej 69 milionë lekësh. Numri i punonjësve ishte 439 në fund të vitit 2017, teksa banka ka 39 degë.

Kjo është banka e dytë me kapital grek që shitet, pasi NBG u ble në muajt e parë të këtij viti nga Abi bank. Abi Bank kishte shprehur interes edhe për blerjen e Tirana Bank.

***

Grupi Balfin është një ndër grupet më inovatore dhe me të mëdha në rajonin e Ballkanit dhe ka një portofol të gjerë investimesh në shtete si Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi, Austri, Holandë, Britani e Madhe dhe më gjerë.  Komercijalna është një bankë që ka fituar çmime në Maqedoni dhe zotëron një pjesë dominuese në sektorin e kredidhënies ndaj biznezeve të shitjes me pakicë si dhe në zhvillimin e produkteve të reja përmes internetit dhe platformave dixhitale. Me asete që kapin një vlerë totale prej 1.737 miliardë eurosh, Komercijalna është një prej bankave më të mëdha në Evropën Jug Lindore.