Transmetuar më 08-08-2018, 15:40

Momente pasigurie për disa dhjetëra turistë sot në Dhërmi, pasi u përballëm me pamje të një peshkaqeni që sipas videos që noa.al jua sjell më poshtë, sugjerohej të ishte në ujërat joniane të jugut tonë.

Në video dallohet bishti i peshkaqenit që lëviz dhe dyshimet janë për një peshkaqen tigër.

Video është regjistruar nga një pushues, Bledar B., i cili e ka postuar në rrjetet sociale.

Ai shkruan se ka parë katër peshkaqenë të vegjël pranë brigjeve të Dhërmiut, konkretisht në plazhin e Drimadhës.

Shfaqja e papritur e peshkaqenëve dhe publikimi i pamjeve në rrjet, ka alarmuar turistët dhe siç shihni videon, ata qëndrojnë më këmbë në breg duke parë peshkaqenin disa metra më tutje në ujë.

Shumë turistë dolën nga deti dhe kanë preferuar t’i rrijnë larg nga frika se mos përballen me peshkaqenët.

"Ne ishim në det dhe po laheshim, kur pamë peshkaqenët që ishin rrotull nesh dhe me të shpejtë dolëm në breg", – tregon Bledari që më pas filmoi dhe momentet e mëposhtme. /noa.al/

***

Pak kohë më parë një peshkaqen tigër që peshonte rreth 400 kilogramë u kap në ujërat pranë ishullit Sazan nga peshkatarë të zonës.

Mendohet se këta peshkaqenë vijnë kaq afër ujërave të cekëta të Jonit në Shqipëri, për shkak se arrijnë të gjejnë më lehtë ushqim.