Transmetuar më 09-08-2018, 11:38

Një ditë më parë u bënë publike të dhënat e një anketimi të kryer nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri dhe shoqata e huaj CRCA. Një prej të dhënave më dramatike ishte se shumica e të rinjve duan të ikin nga vendi.

Pas këtij sondazhi ka ardhur edhe reagimi i deputetes së LSI Klajda Gjosha. Ajo e cilëson situatën alarmante dhe thotë se të rinjtë shqiptarë e kanë humbur shpresën nën këtë qeverisje.

“Sondazhi i fundit i CRCA në Shqipëri dhe Rrjetit Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri, tregon për një situatë alarmante, ku 70% e të rinjve kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të jetuar në një nga vendet e BE-së”, thotë Gjosha.

Sipas saj të rinjtë “përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre”.

Postimi i plotë:

Sondazhi i fundit i CRCA në Shqipëri dhe Rrjetit Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri, tregon për një situatë alarmante, ku 70% e të rinjve kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të jetuar në një nga vendet e BE-së.

Të dhënat e zbuluara nga sondazhi tregojnë se të rinjtë kanë humbur shpresën. Ata përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre.

Dhe ajo çka të trondit më shumë është fakti se edhe pse qeveria është në dijeni të këtij fakti ajo refuzon paturpësisht të zbatoj Planin Kombëtar të rinisë që e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet çdo pike të saj me përpikmëri. Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri konstaton gjithashtu se qeveria ka dedikuar vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri.

Nëse 70% e të rinjve kërkon të largohet, nëse profesionistët dhe shtresa e mesme kërkon të largohet, imagjinoni se si do të ishte Shqipëria e së ardhmes. E nëse kjo nuk quhet emergjencë kombëtare realisht nuk di se çfarë do të ishte më alarmante se kaq!

Asgjë nuk ka vlerë më shumë se shpresa dhe ëndrra e rinisë. Fundja e ardhmja varet nga energjia, puna dhe kontributi i tyre. Me këtë qeveri dhe me këto ritme duket se edhe mosha e tretë do të kërkoj largimin nga Shqipëria!

Nevoja për politika punësimi dhe arsim cilësor është domosdoshmëri, por mbi të gjitha është detyrim dhe përgjegjësi e çdo qeverie!/a.m./noa.al/