Transmetuar më 09-08-2018, 14:08

Kompania me kosto të ulët ”Ryanair” njoftoi anulimin e 250 fluturimeve në nisje dhe në mbërritje në Gjermani.

Vendimi erdhi pasi pilotët e saj gjermanë janë solidarizuar me grevën europiane të paralajmëruar për nesër (e premte).

Më herët, kompania irlandeze njoftoi anulimin e 146 fluturimeve për shkak të grevës së pilotëve më 10 gusht në Suedi, Belgjikë dhe në Irlandë.

Në total, janë 396, fluturimet e anuluara nga kompania për destinacionet e Europës, vetëm për 24 orët n vazhdim.

“Ryanair” gjatë një konference shtypi në Frankfurt premtoi se rreth 85% e 2 400 fluturimeve të saj do të mbulohen gjithsesi atë ditë, por pa specifikuar numrin e përgjithshëm të pasagjerëve të përfshirë nga kjo lëvizje sociale që vjen në pikun e periudhës së pushimeve verore.

Drejtori i marketingut të ”Ryanair” Kenny Jacobs shprehu keqardhje për vendimin e sindikatës ”Vereinigung Cockpit” (Feainigung Kopit) për një grevë që nuk ishte e nevojshme.

Sindikata gjermane e pilotëve njoftoi se do t’i bashkohej lëvizjes së grevës europiane, duke akuzuar kompaninë irlandeze për mungesë vullneti në negociatat për pagat.