Transmetuar më 10-08-2018, 12:15

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po shpërblen me prona publike klientët e tij.

Nga selia blu, deputetja demokrate Dhurata Çupi deklaroi se Rama veç konçesioneve, po përdor një tjetër metodë për të grabitur qytetarët, ajo e qiradhënies për 90 vite.

“Rasti më flagrant i korrupsionit me pronën publike është ai i Qendrës Historike të Tiranës, ku të paktën 2100 metra katrorë tokë publike dhe e Bashkisë së Tiranës i falet një privati, që të pastrojë paratë e kryeministrit duke ndërtuar kulla, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në mohim të kompetencave të Këshillit Bashkiak për tjetërsimin e pronës”, deklaroi Çupi.

Sipas deputetes së PD, përmes tjetërsimit të pronës Rama po u shërben interesave mafioze. Ajo thotë se është shkaktuar 19 milionë euro dëm.

“Për vitin 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në prokurori kallëzime penale për 129 persona në pushtetin qëndror dhe lokal, por, fatkeqësisht, nga prokuroria nuk ka asnjë raportim sa nga zyrtarët e qeverisë ka çuar para gjykatës për shpërdorim detyre dhe abuzim me pronat, duke i tjetërsuar ato në shkelje të ligjit, pa transparencë dhe pa garë të drejtë e të barabartë”, thotë Çupi.

Ajo e mbyll deklaratën e saj me një paralajmërim për ata që mund të kenë përfituar nga pronat publike:

“Partia Demokratike është e angazhuar për të kryer një hetim dhe analizë të plotë të çdo prone publike të vjedhur e grabitur këto 5 vite. Askush nuk do të gëzojë një pronë publike të marrë me korrupsion, në kundërshtim me ligjin”./a.m./noa.al/