Transmetuar më 10-08-2018, 23:29

Shefi i Rendit në Delvinë është filmuar bashkë me kolegët e tij në një festë, ku shfaqet i dehur dhe me një shkop në dorë. Për më tepër ai ishte i veshur me uniformën e tij të policisë. Videoja, e cila u publikua sot nga ABC News, shfaq në disa momente të sikletshme të gjithë efektivët.Në këto pamje shihet shefi i Rendit në Delvinë me uniformën e tij të policisë.

Me një shkop druri në dorë ai udhëheq vallen tradicionale të zonës, bashkë me disa nga vartësit e tij.

Ndoshta është një gëzim familjar ose shefi ndodhet jashtë orarit të punës, por për një drejtues policie është e papranueshme të ndodhet në një gjendje të tillë kur është i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.

“Policët që duam” duhet të jenë pa bark të fryrë. Shefi e plotëson këtë kriter. Por paska ca dëshira të tjera. Folklori, vallja e me to bashkë edhe pak raki.

Ja, ky qengj largohet nga vallja e ahengut të improvizuar. Me siguri do t’i bashkohet më vonë tryezës, por i shkuar në hell.

Prandaj dhe shfaqet për disa sekonda e vetmja femër.

Këto skena i kemi parë te filmi, “Përrallë nga e kaluara” bazuar në veprën e Çajupit.

Megjithëse një shekull më parë, tradita ruhet. I njëjti version i komedisë shfaqet edhe në ditët e sotme.

Këtë herë, me njerëz realë dhe me drejtues të policisë vendore të Delvinës.

Si punonjës policie do dhe rregull. Nuk i pëlqen dridhja e vitheve të kolegut, prandaj një përkëdhelje me shkop e bind se vallja do ecë sipas ritmit dhe zakonit.

Shefi i “detyron” nën kërcënimin e shkopit të gjithë valltarët të ulen  përtokë. Njëri del nga rreshti dhe shkopi për këtë punë është. Por tani është tepër vonë, vallja ka kaluar në “Kala Dibrançe”. Fundja pse jo?! Edhe ajo e traditës është.