Transmetuar më 12-08-2018, 23:27

Ndërsa televizionet e tjera kombëtare si RTSh, Tv Klan e Vizion Plus kanë nga të paktën një emision politik, Top Channel përballet me sfidën e një programi të tillë për sezonin e ri televiziv.

Pas largimit të gazetarit dhe moderatorit të njohur nga Top Channel dhe mbylljes së “Top Story”, ishte Ylli Rakipi me “Të paekspozuarit” si të thuash “zëvendësimi” i shpejtë për prime time, edhe pse me një herë në javë.

Ky emision nuk dihet nëse do të rikthehet në këtë sezon të ri që nis në shtator.

Sakaq, Top Channel ka nisur të transmetojë spotin televiziv që shikoni më poshtë, ku lajmëron rikthimin e emisionit “Top Story”.

Gjithsesi Top Channel nuk informon se kush do ta drejtojë emisionin që atëherë e themeloi dhe e mbajti për shumë vite, Sokol Balla.

Spekulime mediatike aludojnë se këtë emision, do ta drejtojë Eni Vasili dhe të tjerë, aludojnë për Sonila Meçon.

Në këtë mënyrë, duket se nga shtatori, do të kemi dy “…Story”, “Real Story” me themeluesin e “Top Story”, në Vizion Plus dhe “Top Story”, si një rikthim pa Ballën në Top Channel.

Merkato televizive ka nisur të pësojë ndryshime kohët e fundit.

Eni Vasili u largua nga Tv News 24 dhe aludohet të ketë transferuar emisionin e saj te një Tv i ri që pritet të hapet në vjeshtë, A2.

Genta Popa dhe Juli Krisafi, dy spikere të njohura edicionesh informative në TV kryesore, edhe ato janë larguar drejt të njëjtit projekt televiziv që nis pas disa muajsh.

Sonila Meço pas disa vitesh pauzë në TV dhe angazhim në shtypin e shkruar përmes kolumnave të përjavshme tek e përditshmja “Albanian Free Press”, edhe ajo pritet të rikthehet këtë shtator në TV.

Adi Krasta, po ashtu i larguar si Meço nga Agon Channel, pritet edhe ai të bëhet pjesë sërish e TV përmes kthimit në televizion, me shumë gjasa tek A2 që pritet të nisë transmetimet në vjeshtë.

Të tjera lëvizje janë në proces… /noa.al/