Transmetuar më 13-08-2018, 08:18

“Sa herë ka aksidente rrugore, të gjithë moralizojnë, por në rrugë harrojnë!” kështu e nis mesazhin Policia e Shtetit teksa shpërndan një video ku tregon operacionin e fundit të rrugorëve në autostradën Tiranë-Durrës.

Edhe pse kontrollet po shtohen, sërish aksidentet tragjike nuk ndalen.

“Fundjava: Gara dhe alkool!!!”, kështu e përkufizon policia pas aksionit në terren ku disa shoferë janë arrestuar dhe disa janë penalizuar për shpejtësinë.

“Nuk ka shpjegim dhe aq më tepër kuptim, se si shumë të rinj dhe të reja edhe pas sensibilizimeve të njëpasnjëshme apo kontrolleve të pandërprera nga Policia Rrugore, edhe pse në media apo rrjete sociale lexojnë e shikojnë ngjarje rrugore me pasoja fatale, shumica e të cilave janë për shkak të vetëbesimit të tepruar dhe neglizhencës gjatë drejtimit të mjetit, përsëri nuk hezitojnë që investimin e prindërve të tyre në mjete motorrike, ta kthejnë në një “armë vrasëse” me rrota që pret të shtypë të pafajshmin e radhës”, vijohet më tej në emsazhin e policisë.

Vetëm në dy orë monitorim me agjentë civilë, u konstatuan dhe u ndëshkuan:

-10 drejtues mjetesh tejkalim shpejtesie veçanerisht në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi, 3 drejtues mjetesh për zhurma shqetësuese nëpermjet sistemit të shkarkimit të gazrave.

-U pezulluan 10 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

-U tërhoqen 12 leje drejtimi për shpejtesi tej normave të lejuara matur me radar në rrugën Tiranë-Durrës.

-U proceduan 7 drejtues mjetesh per xhama të errët.

-5 drejtues mjetesh u arrestuan nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 të papajisur me leje drejtimi.

-Si dhe u shoqeruan 8 automjete me targa rregjistrimi të një shteti tjetër me qëllim verifikimin e tyre nga strukturat e tjera policore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Është e pafalshme për këdo që konstaton shkelje të tilla neë vende të populluara dhe pret një reagim vetëm nga policia, është koha që të gjithë t’u tregojnë vendin atyre që cënojnë sigurinë e jetës me të gjitha format e mundshme sociale dhe ligjore”, thuhet në emsazhin e fortë të policisë./a.m./noa.al/