Transmetuar më 14-08-2018, 11:22

Siguria ushqimore është kthyer në prioritet në këtë periudhë me temperatura të larta. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar edhe sot aksionet në zonat bregdetare.

Në Shëngjin, janë sekuestruar plot 528 kilogramë produkte mishi që tregtoheshin jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.

Në kuadër të operacionit të koduar “Rotten meat” (mishi i kalbur), është vënë në pranga edhe poseduesi i produkteve, shtetasi nga Kosova Arsim Çurdina.   

Ky shtetas, në qytetin e Shëngjinit, me mjetin e tij, është kapur duke tregtuar në disa lokale një sasi prej 528 kg produkte mishi, të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme në një ambient në Tiranë jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve, produkt të cilin, ia shiste restoranteve dhe “Fast Food-ve” në Shëngjin, si dhe pa faturë tatimore, duke fshehur të ardhurat.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti, për të gjithë subjektet tregtarë dhe personat e përfshirë./a.m./noa.al/