Transmetuar më 14-08-2018, 17:14

Shembja e urës në Genova të Italisë, për pak sa nuk i ka marrë jetën edhe futbollistit italian, Domenico Criscito.

Siç shkruan vetë në një mesazh në rrjetet sociale, mbrojtësi i Genoas, lajmëron se vetëm pak minuta para se të ndodhte ngjarja e tmerrshme, kishte kaluar mbi urë, por njofton se ai dhe familja e tij ishin në rregull.

“Po e shkruaj këtë mesazh për të gjithë ata që po më shkruajnë, dhe që kujdesen pë mua dhe për familjen time. Jemi të gjithë mirë. Jemi mirë, e kemi kaluar atë urë 10 minuta para se të shembej. Jam pranë të gjitha familjeve të viktimave, nuk është e mundur që një urë në një autostradë të mund të përplasej në këtë mënyrë. Duhet të bëni diçka për këtë vend, ku njerëzit ikin prej këtyre gjërave. Kemi nevojë për siguri, për dikë që të bëjë diçka. Ajo që po ndodh është e tmerrshme” – shkruan Kriscito.

Nga shembja e urës “Morandi” mbi autostradën A10 në Genova raportohet për 22 persona të vdekur, mes tyre një fëmijë pasi gjatë shembjes së saj mbi 20 automjete ndodheshin në të.

Gjithashtu raportohet edhe për 16 persona të plagosur, në gjendje kritike për jetën dhe 10 të zhdukur.

Autoritetet e emergjencës ndodhen në vendin e ngjarjes për ndihmë, ndërsa bilanci i viktimave mbetet ende provizor./a.k/noa.al/