Transmetuar më 17-08-2018, 12:58

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, është vënë në prangat e policisë së Kosovës.

Krahas saj u arrestuan edhe shtatë aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët hodhën bojë ndaj komisariatit të policisë, gjatë protestës “mosreagimi i policisë për dhunën ndaj grave”.

Vetëvendosje bën me dije se aktivistet e Lëvizjes kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë së Kosovës, duke e akuzuar se kjo polici pranon çdo ditë raportime për dhunë dhe nuk bën asgjë, qëndron duarkryq e impotente përballë dhunës.

“Kjo polici i ka duart me gjakun e grave. Jo vetëm se shteti i Kosovës ka hequr dorë dhe i ka braktisur gratë në pozitë të pabarabartë, por edhe policia e Kosovës nuk duron që të kërkohet drejtësi për to”, deklaron Vetëvendosje.

Të arrestuarit janë Saranda Bogujevci, Rinë Zhitia, Arta Berisha, Elona Kurti, Diellëz Arifi, Patrik Domi, Çlirim Gërbeshi, Atdhe Arifi.

Aktivistja Aulonë Bytyqi foli për dështimin e institucioneve të Kosovës që të parandalojnë dhunën ndaj grave dhe së pavarësisht se këto institucionet stërmbushin hapësirat mediatike me slogane për raportime të rasteve ato janë krejtësisht indiferente ndaj këtyre krimeve. /a.y/noa.al

Në foto, pamje nga protesta