Transmetuar më 20-08-2018, 11:16

Teksa Shqipëria paraqitet me nivelin më të ulët aftësive në tregun e punës në raport me vendet e tjera të Rajonit, shpenzimet për arsimin në raport me PBB në vend që të rriten do të ulen më tej gjatë viteve në vijim.

Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1%- 3.3 për qind e PBB-së më 2018-2019 do të zbresin në 3 % në 2020 dhe 2021.

Shpenzimet për arsimin parashikohen me ulje edhe pse Shqipëria u rendit e fundit në Rajon për shpenzimet dedikuar arsimit gjatë vitit të kaluar.

Shqipëria shpenzoi 3.1 për qind të PBB-së për arsimin teksa vendet e tjera të rajonit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së.

Ministria e Arsimit do të financojë me prioritet gjatë viteve në vijim transportin e 28-30 mijë nxënësve që kanë vendbanimi mbi 2 km nga shkolla si dhe transportin e 10 mijë mësuesve që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë.

Gjithashtu synon blerjen e teksteve shkollore për rreth 190 mijë nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.

Në arsimin parauniversitar do të financohen me prioritet projekte për ndërtime të reja, rikonstruksion/rindërtimin apo shtesa në objektet aktuale për më shumë se 170 objekte arsimore të tjera ose rreth 1500-1700 klasa / laboratorë mësimore  nga të cilat do të përfitojnë 50,000- 55,000 nxënës dhe 3000-3500 mësues dhe edukatorë, shkruan ‘monitor’.

Infrastruktura e sektorit e arsimit në Shqipëri mbetet shumë e dobët dhe nuk po bëhet para për zhvillime në sektorin e Teknologjisë dhe  informacionit dhe Komunikimit (TIK) në nivel kombëtar, teksa modeli arsimor vijon të jetë nën presionin e politikave afatshkurtëra, ku kurrikulat ndryshojnë vazhdimisht me ndryshimin e ministrave.