Transmetuar më 14-09-2018, 16:52

Gjatë gjithë ditës, mjetet e komunikimit u bombarduan me informacione të detajuara në lidhje me atë që u quajt nga qeveria, demonstrim historik i fluturimeve të kompanisë gjysmë private dhe gjysmë shtetërore, e cila u tha se do kryente linja të rregullta me Stambollin e Turqisë.

NOA mëson nga burime pranë qeverisë se demonstrimi i parashikuar në 16:50 të ditës së sotme, është anuluar dhe të gjithë njerëzit që janë duke pritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sikundër kishte ftuar më herët qeveria qytetarët, nuk do të mund të presin që të fluturojë “Lasgushi”, emri i avionit që Kryeministri kishte pagëzuar mjetin ajror të kompanisë gjysmë private të trajnuar dhe udhëhequr nga turqit.

Ndërkohë, NOA konfirmon se është shtyrë edhe ceremonia e parashikuar në orën 17:00, e inaugurimit të kompanisë gjysmë private, e përcaktuar të zhvillohej në aeroportin e Rinasit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama.

Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur për NOA se, ekziston mundësia që kjo ceremoni ndoshta do të mbahet rreth orës 19:00, me transmetim në ERTV, faqja e facebook-ut e Kryeministrit Rama.

Kompania gjysmë private dhe gjysmë shtetërore, që pritet të nisë fluturimet nga Tirana nëpër destinancione të ndryshme europiane dhe ndërkontinentale, është pronë e një biznesmeni në Vlorë, sipas të dhënave të QKB-së (Qendra Kombëtare e Biznesit).

Po ashtu, është edhe pronë e shtetit shqipar. Sikundër ka pohuar z. Rama, kjo kompani e re ajrore është totalisht e mbuluar nga kompani private fluturimesh në Turqi.

Fluturimet e para, që do të jenë 1 muaj testuese, do t’i zhvillojë në drejtimin Tiranë-Stamboll, dhe anasjelltas. /k.k/noa.al/