Transmetuar më 18-09-2018, 12:08

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk tërhiqet nga propozimi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Duke folur në një konferencë për mediat ditën e sotme, ai tha se Kosova nuk mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë.

Sipas tij, marrëveshje mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis.

“Dikush mund të thotë se Kosova ka bërë kompromise mjaftueshëm, pajtohem. Të tjerë thonë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, pajtohem sërish. Por sot një gjë të tillë Serbia nuk po e bën. Për fat të keq me gjithë përpjekjet maksimale, Serbinë nuk po mund ta bindin ta njohë Kosovën as BE dhe asnjë shtet anëtar i BE veç e veç dhe as SHBA. Dikush mendon se Rusia do të heqë veton për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, as kjo nuk po ndodh dhe as shoh përpjekje që dikush mund ta bindë”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se heqja e vetos ruse nga Kosova nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Për të arritur këtë qëllim kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë”, deklaroi Thaçi. /a.y/noa.al