Transmetuar më 23-09-2018, 11:16
Foto ilustruese

Komitetii Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjen e datës 19 shtator 2018, miratoi Rezolutën për Shqipërinë, me konkluzionin se “mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.

Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave, duke përfshirë këtu dhe planin e masave të vendimit pilot të Manushaqe Putos e të tjerë.

Në këndvështrimin e Komitetit të Ministrave, “Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas vendimit pilot të Manushaqe Putos, për ngritjen e mekanizmit efektiv të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist”, vijohet në njoftimin e MD.

Nëpërmjet kësaj zgjidhjeje, Komiteti i Ministrave ka vendosur se, Shqipëria i ka dhënë fund mungesës së gjatë të një mekanizmi efektiv si dhe është vlerësuar mbështetja politike, financiare dhe teknike që është dhënë nga qeveria shqiptare që nga viti 2014 e në vazhdim.

Në këtë rezolutë, dukshëm janë vlerësuar rezultatet sinjifikative si në trajtimin e kërkesave të vlerësuara me vendim nga Agjensia e Trajtimit të Pronave, numrit të vendimeve të zbatuara të kësaj agjensie si dhe vendosjen në dispozicion të burimeve financiare tejet të konsiderueshme nga Qeveria Shqiptare, për të mbuluar të gjitha pagesat e pronarëve për kompensim.

Vendimi i marrë nga Komiteti i Ministrave, tregon se Shqipëria i ka vendosur në zbatim të gjitha masat e vendosura nga Gjykata Evropiane dhe Komiteti i Ministrave duke vendosur të mos ushtrojë më mbikqyrjen e kësaj çështje.

Komiteti i Ministrave, ka vlerësuar në këtë proces të gjatë dhe të vështirë, bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare dhe atyre të Këshillit të Evropës në procesin e hartimit dhe zbatimit të mekanizmit të kompensimit të pronave.

“Në këtë mënyrë zgjidhim përfundimisht pas 25 vjetësh, problemin e madh të kompensimit të pronave, duke patur një formulë kompensimi për pronarët dhe një mekanizëm ligjor efektiv që lejon që pronarët të dëmshpërblehen, mekanizëm të pranuar dhe të çertifikuar tashmë dhe me këtë vendim të Komitetit të Ministrave”, thuhet në reagimin e ministirsë. 

Ministria bën me dije se kompensimi i pronarëve tashmëështë i garantuar dhe sipas përcaktimeve ligjore do të realizohet brenda afatit 10-vjeçar.

Tashmë, për qytetarët të cilët prej vitesh kanë hasur ndryshime të shpeshta ligjore ose vendime të cilat nuk janë ekzekutuar, kanë një mekanizëm efektiv i cili siguron ekzekutimin e të drejtës së tyre të njohur për kompensim./a.m./noa.al/